“Situata në veriun e Kosovës mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
Gazeta Insajderi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, Frankurter Allgemaine Zeitung.
Intervista e plotë ende nuk është publikuar, por, gazetari Michael Martens ka zbuluar disa detaje nga intervista me Kurtin në Twitter.
“Kurti tha se u pajtua për një kompromis në “krizën e targave” pas paralajmërimit nga ambasadori i ShBA-së në Prishtinë se situata në veriun e Kosovës mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”, shkroi Martens në Twitter, shkruan Gazeta Insajderi.
Po ashtu, gazetari gjerman ka treguar se Kurti i tha që ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte më shume informacion se ai për situatën në veri.
Kështu Kurti u frikësuar vetëm kur Hovenier i dha informata shtesë për situatën në Mitrovicën Veriore, ndërsa për muaj kishte refuzuar kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e vendimit për tagrat.
Çka ndodhi pas takimit të Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel?
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën vesh se nuk ka marrëveshje, ndërhynë në proces përmes të dërguarit të tyre në Kosovë, ambasadorit Jeff Hovenier.
Ky i fundit, më 22 nëntor, në ora 00:19 minuta, i kërkoi Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë.
Hovenier tha se këtë kërkesë ia ka bërë qeverisë për t’i lejuar ShBA-të dhe BE-në që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Pak minuta më pas në 00:39, Kurti iu përgjigj kërkesë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera)”.
“Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Pas kërkesës së ambasadorit amerikan, marrëveshja arrihet në Bruksel
Pala kosovare dhe ajo serbe më 23 nëntor, në orë 22:25 arritën marrëveshjen lidhur me targat. Lajmin e konfirmoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi tutje ai.
Kryenegociatorët e dy shteteve janë takuar të mërkurën që shkoi në Bruksel në një takim që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë, në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në vetura.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Për arritjen e marrëveshjes ka folur edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“I falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për angazhimin e tyre konstruktiv. Një falënderim të madh për Departamentit Amerikan dhe diplomacinë për mbështetjen e paçmuar”, shkroi Lajçak në Twitter, shkruan Gazeta Insajderi.
Krejt momentet kur Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u pajtuan ose jo për targat
Më 31 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që vendimi për targat të shtyhet për 30 ditë. Po atë ditë, Qeveria e Kosovës vendosi pro kërkesë së shtetit të Joe Biden.
Kur vendimi duhej të hynte në fuqi në shtator, Qeveria e shtyri edhe për dy muaj implementimin e vendimit për targat serbe, deri më 1 nëntor, shkruan Gazeta Insajderi.
Para kësaj date, më 19 tetor, shteti amerikan kërkoi sërish që shteti kosovar ta shtyjë implementimin e vendimit për targat edhe për 10 muaj.
Dhjetë ditë pas kësaj kërkese, Albin Kurti doli në konferencë për media dhe njoftoi se ka vepruar kundër kërkesës amerikane.
Tregoi se vendimin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia të zbatohet në tri faza, duke filluar nga 1 nëntori i këtij viti.
Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit do të ishte në fuqi faza e qortimit të shoferëve. Më pas do të niste shqiptimi i gjobave prej 150 euro për shoferët që vozisin makina me targa të paligjshme, fazë kjo e cila do të zgjaste deri më 21 janar.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS, shkruan Gazeta Insajderi.
Serbia – e cila lëshon targa për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999 – e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe: