Njomza Salihi

Njomza Salihi -

10:21 - 26 Nëntor 2022

Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

“Buxheti i vitit 2023 nuk i adreson nevojat e qytetarëve dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi”, ka thënë në një intervistë për Gazetën Insajderi, Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se buxheti i vitit 2023 nuk adreson nevojat e qytetarëve dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi.

“Fatkeqësisht, buxheti i vitit 2023 as nuk është i shpërndarë si duhet, nuk adreson krizat me të cilat po ballafaqohemi, as nuk reflekton premtimet e Qeverisë”, ka thënë Hykmete Bajrami në një intervistë për Gazetën Insajderi.

Aj ka deklaruar se partia e saj përpos që ka shumë vërejtje për buxhetin, nuk mund ta votojë atë pasi nuk përkon as me prioritetet e tyre.

“…rrjedhimisht ne nuk mund të votojmë një buxhet i cili le që nuk përkon me programin dhe prioritet tona, por nuk reflekton as premtimet e partisë në pushtet”, ka thënë tutje deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovë në intervistën për Gazetën Insajderi.

Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Hykmete Bajramin, deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetaren e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike:

Gazeta Insajderi: Para pak ditësh është votuar në parim buxheti për vitin 2023. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë çështje?

Hykmete Bajrami: Draft buxhetin e vitit 2023 nuk mund ta trajtomë të ndarë nga situata socio-ekonomike në vend. Vendi po përballet me normën me të lartë të inflacionit që nga paslufta dhe Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të zbutur sadopak krizën me çmime, tani me rënien e temperaturave do të rikthehet kriza energjetike. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ekonomike në tremujorin e dytë ishte vetëm 2,14%, kjo si rezultat i inflacionit, si rezultat i mospunës së ministrive, por edhe bllokadës më shumë se një vit të OSHP-së. Në vitin aktual kjo Qeveri ka arrit që nga 704 milionë euro të parapara për investime kapitale, në nëntëmujorin e parë t’i shpenzojë vetëm 158 milionë euro apo 22%. Tani buxhetin e planifikuar për vitin 2023 duhet shohim nga disa aspekte; aspekti i shpërndarjes, kapacitetit të kësaj Qeverie për t’i realizuar projektet e planifikuara si dhe buxhetimit të premtimeve të partisë në pushtet.

Ky buxhet nuk adreson nevojat e qytetarëve dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi.

Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Gazeta Insajderi: Ju e keni analizuar thellësisht buxhetin e vitit 2023. A mendoni se buxheti prej 3.2 miliardësh i plotëson nevojat e shtetit të Kosovës?

Hykemte Bajrami: Në terma nominal buxheti ka rritje, por nëse marrim parasysh normën e inflacionit është e vështirë të themi që ky buxhet ka vlerën e buxhetit të këtij viti. Nevojat e vendit dhe të qytetarëve rendomë janë shumë me të mëdha se sa kapacitetet buxhetore që i ka vendi po është detyrë e Qeverisë që të bëj shpërndarje të duhur të taksave të qytetarëve sipas nevojave prioritare të qytetarëve të vendit dhe sipas premtimeve në bazë të të cilave Qeveria i ka marrë votat. Fatkeqësisht, buxheti i vitit 2023 as nuk është i shpërndarë si duhet, nuk adreson krizat me të cilat po ballafaqohemi, as nuk reflekton premtimet e Qeverisë.

Buxheti është jotransparent, marrë parasysh faktin se 271 milionë euro janë të ndara në Ministrinë e Financave dhe Transfereve janë si kontigjenca dhe fonde për ringjallje ekonomike. D.m.th. 271 milionë euro fonde pa vizion, pa plan dhe pa projekte, d.m.th. rreth 10% e buxhetit është e pashpërndarë, janë taksa që Qeveria mendon t’i mbledhë nga qytetarët dhe bizneset por nuk e ka as idenë me të vogël se ku do t’i investoj apo si do t’i shpenzojë.

Lidhja Demokratike e Kosovës duke e analizuar Buxhetin për vitin 2023

Gazeta Insajderi: Cilat fusha i ka mbuluar më mirë buxheti, dhe cilat janë lënë krejtësisht anash, sipas dokumentit që ju e keni parë?

Hykmete Bajrami: Në terma nominal ka rritje në shumicën e organizatave buxhetore por nëse marrim parasysh inflacionin ka shumë mundësi që buxheti është edhe më i vogël se sa buxheti i këtij viti. Nga çfarë shihet nga shifrat Qeveria nuk ka paraparë buxhet të mjaftueshëm për rritje të pagave dhe pensioneve edhe pse te pagat ka rreth 75 milionë euro më shumë, kjo shumë nuk mjafton për rritje të nevojshme të pagave dhe pensioneve nëse marrim parasysh inflacionin. Po potencoj disa sektorë: buxheti për bujqësi ka rritje por norma e inflacionit për inputet bujqësore është mbi 30% andaj rritja e buxhetit në këtë sektor nuk e kompenson as normën e inflacionit. Buxheti për arsim ka rritje për rreth 10 milionë euro të MASHTI, por si pjesëmarrje e buxhetit të tërësishëm dhe GDP-së është më i ulët se ai i vitit të kaluar. Buxheti për shëndetësi ka rritje por asesi nuk po mund të shpenzohet për shkak se Qeveria e 51% nuk po është në gjendje të caktoj një ministër për këtë dikaster e nëse marrim parasysh se i tërë sektori është me ushtrues detyre, kjo na bën skeptik që në sektor do të ndryshoj diçka. Nuk ka asnjë projekt as buxhet për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

Dersia në ministrinë e Financave dhe Transfereve janë 271 milionë euro të pashpërndara të Zyra për Barazi Gjinore janë vetëm 40 mijë euro subvencione, janë vetëm 6 milionë euro për ambient apo vetëm 1.8 milionë euro për rini.

Nuk është paraparë të mbështet sektori i ICT-së si një nga sektorët me potencial në vend.

Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Gazeta Insajderi: Kryetarët e komunave, theksuan se Projektligji i Buxhetit për vitin 2023 është kundër-kushtetues sepse cenon pavarësinë e pushtetit lokal për të mbledhur dhe shpenzuar të hyrat e veta. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Hykmete Bajrami: Kur jemi të komunat duhet të potencojmë faktin se buxheti është politik, komunat që VV-ja nuk ka mundur t’i marrë me votë po i dënon me buxhet. Mjafton të shihen projektet kapitale që shkojnë nga ministritë e linjës nëpër komuna e vëreni që koncentrimi është të komunat që udhëhiqen nga LVV-ja, derisa janë ndëshkuar të gjitha komunat tjera. Për këtë qëllim Qeveria pa kurrfarë arsyetimi është tërheqë nga ndryshimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, që e kishte brenda grantin kapital që do t’i pamundësonte shpërndarjet e tilla politike të buxhetit, besoj se qëllimet janë  të qarta.

Ajo çfarë kanë thënë kryetarët e komunave është më se e vërtetë sepse për herë të parë me Ligj të Buxhetit po tentohet që komunave të ju merren të hyrat vetanake.

Në kundërshtim me 2 ligje atë për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Qeveria në mënyrë arbitrare me këtë Ligj dëshiron që fondet vetanake të komunave t’i marrë dhe t’i trajtojë si suficit.

Hykmete Bajrami, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Gazeta Insajderi: Çfarë duhet të bëjë Qeveria, nëse Projektligji është anit-Kushtetues?

Hykmete Bajrami: Qeveria dhe shumica duhet që ta largojnë nenin që është antikushtetues, nëse kjo nuk ndodhë atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do ta dërgoj këtë Ligj në Kushtetuese.

Gazeta Insajderi: A do ta votojë Lidhja Demokratike e Kosovës në lexim të dytë buxhetin për 2023?

Hykmete Bajrami: Ne kemi shumë vërejtje në buxhet, përpos që nuk është i shpërndarë drejtë as nuk reflekton premtimet mbi të cilat VV-ja ka ardh në pushtet. LDK voton vetëm buxhetin i cili do të implementonte programin e LDK-së, rrjedhimisht ne nuk mund të votojmë një buxhet i cili le që nuk përkon me programin dhe prioritet tona, por nuk reflekton as premtimet e partisë në pushtet.

© Gazeta Insajderi