×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Albinin e kam vëlla”- Kurti s’priti as dy ditë nga kjo deklaratë e Ali Ahmetit që t’i ftojë rivalët e tij në zyrë

    Insajderi
    30 January 2024 - 22:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rivalët politik të Ali Ahmetit, kryetarit të BDI’së, janë pritur sot në zyrën e kryeministrit nga dyshja drejtuese e Vetëvendosjës: Albin Kurti e Glauk Konjufca.

    Arben Taravari, Izet Mexhitin, Afrim Gashin dhe Bilall Kasami ishin pjesë e takimit në Zyrën e Kryeministrit. Që të gjithë emrat e apostrofuar janë kundërshtarë të Ali Ahmetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Takimi ndodhi vetëm një ditë pas një deklarate “vëllazërore” të Ahmetit në raport me Kurtin.

    “Unë ju kam vëllezër të gjithëve edhe Albinin e kam vëlla nuk e ruaj shpinën nga askush”, tha dje Ahmeti.

    Pas takimit të Kurtit me opozitën shqiptare në Maqedoni, janë deklaruar nga Qeveria e Kosovës, ku bëhet e ditur se kryetarët e BDI’së kanë propozuar për një president i cili sipas tyre “kësaj radhe duhet të jetë shqiptar”.

    “Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në njoftim.

    Izet Mexhitin sot përpara mediave njoftoi se vizita këtu ishte për zyrtarizimin e koalicionit të VV’së me opozitën shqiptare në Maqedoni.

    “Vetëvendosje de jure nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de fakto po sepse anëtarë të saj do të jenë në listat zgjedhore siç është Bekim Qoku strugan dhe që ka qenë deputetë në parlamentin e RMV në kohën e PDSH dhe tani do të marrë pjesë e listën zgjedhore pra si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim”, ka thënë Mexhiti mes tjerash.

    Kujtojmë se këshilltari i Albin Kurtit, Bekim Qoku, gjatë tërë ditës së diel është marrë me kryeministrin e parë shqiptar të zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, duke e sulmuar atë, duke i cekur kriteret që sipas tij Xhaferi mund të quhej “shqiptar”.

    Qoku në fund ka dalë me sqarime duke thënë kinse ka reaguar si aktivist politik e jo si i angazhuar nga Kosova.

    Kryeministri Kurti ishte i fundit nga krerët shtetërorë që iu gëzua përzgjedhjes së Talat Xhaferit kryeministër të qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut. Ndonëse suksesi për shqiptarët atje qe i madh, urimi i Kurtit ishte i rëndomtë.

    “Ish Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, thuhej tekstualisht në urimin e tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark