Albulena Haxhiu ka marrë pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes së vendit. Para pak çastesh, dorëzimi i mandatit është bërë nga Vjosa Osmani.
Osmani i ka uruar mirëseardhje Haxhiut, duke thënë se është e lumtur që po ia dorëzon një gruaje pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Osmani ka thënë se nuk është e lehtë të mbahen të dy pozitat, pasi një përvojë të tillë e ka përjetuar edhe vetë.
“Ju dëshiroj mirëseardhje. Nga sonte në mesnatë jeni edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Ka qenë dëshirë e imja që, kurdo që të dal nga kjo zyrë, ta lë një grua pas. Kjo dëshirë po më realizohet”, ka thënë Osmani, duke uruar që edhe Haxhiu të lërë pas vetes një grua presidente.
Osmani ka deklaruar se po i lë pas Haxhiut një punë të jashtëzakonshme pas 5 viteve në presidencë.