×
  • Lajme
  • Lajme

    Albulena Haxhiu i bën favor frizerit të saj, ia punëson gruan në Ministrinë e Drejtësisë

    Insajderi
    07 February 2023 - 14:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rreth dy javë para se t’i ngjyroste flokët në sallonin “Vogue Hair”, ministrja Albulena Haxhiu e kishte rehatuar me punë bashkëshorten e frizerit të njohur Armend Gashi, Brikena Kelmendi-Gashin, në Ministrinë e Drejtësisë.

    Brikena Kelmendi – Gashi, bashkëshortja e frizerit Armend Gashi, i cili ka në pronësi sallonin “Vouge Hair”, ku e rregullon vazhdimisht “frizurën” ministrja Albulena Haxhiu, tashmë është punësuar në një pozitë të lartë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Fotografitë e postuara në rrjete sociale, ku shihet ministrja Albulena Haxhiu me “frizurën” e re, nxitën shumë reagime publike. Por, ato po rezultojnë të mos jenë thjesht “klientelizëm i rëndomtë”.

    Demokracia.com ka siguruar vendimin e nënshkruar nga ministrja Albulena Haxhiu për emërimin e bashkëshortes së frizerit Armend Gashi në një pozitë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Në vendimin e Haxhiut të protokolluar më 16 janar 2023, ku pak më poshtë te e njëjta datë figuron viti 2022, thuhet se Brikena Kelmendi – Gashi do të nisë punën në Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Siç ka mësuar Demokracia.com, Brikena Kelmendi – Gashi është bashkëshortja e frizerit të njohur në Prishtinë, Armend Gashi, i cili ka kohë që përkujdesët për stilin e flokëve të ministres Haxhiu.

    Edhe në ARBK, “Vouge Hair”, figuron në pronësi të Armend Gashit, gruaja e të cilit tashmë është rehatuar me punë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Lidhur me këtë, Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë për të kuptuar nëse Kelmendi-Gashi i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë. Po ashtu, ministrja Haxhiu është pyetur edhe nëse ka paguar për rregullimin e flokëve tek frizeri Armend Gashi, të cilit ditë më parë ia kishte punësuar bashkëshorten në ministrinë që drejton. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, nga kjo ministri nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Madje, Kelmendi-Gashi ditë më parë kishte publikuar edhe fotografi nga objekti i Ministrisë së Drejtësisë.

    Ministrja Albulena Haxhiu së fundmi i ka rregulluar flokët me modelin “balayage”, por rehatimi i bashkëshortes së frizerit të saj në Ministrinë e Drejtësisë duket paksa i pa rend, pasi që ende shumë militantë të kësaj partie kanë mbetur të pa punë. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark