Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se krizat politike kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe jo të dhunës.
Sipas tij, përdorimi i çfarëdo mjeti të dhunës nxitë përdorimin edhe më të madh të forcës, e cila është e rrezikshme.
“Nëse ti përdor gaz lotsjellës, ai do të përdorë gurë, nëse ai përdor gurët, ai tjetri me çka do të përgjigjet, me armë dore? E kemi pasur të njëjtën ngjarje në Irlandën Veriore gjatë viteve ’60- a, ku ka jetuar edhe familja ime, ka humbur 25 vjet në atë konflikt” ka thënë ambasadori O’Connell.
“Pra, është shumë i rrezikshëm përdorimi i dhunës”, ka shtuar O’Connell në një intervistë dhënë të përditshmes Zëri.
Komentet e tij vijnë vetëm një ditë para se tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – të mbajnë një protestë në Prishtinë. Sic kanë paralajmëruar këto parti, kjo protestë pritet të jetë më e madhja që nga përfundimi i luftës.
Në fakt, ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë të shtunën e kaluar se kjo protestë do të jetë “goditja përfundimtare ndaj qeverisë.”
Të tri partitë opozitare kanë organizuar një numër protestash në muajt e fundit në kundërshtim të dy marrëveshjeve të lidhura nga ana e Qeverisë së Kosovës: me Serbinë për themelimin e asociacionit të komunave serbe, dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
Protestat e organizuara deri më tani kanë eskaluar në dhunë./Insajderi