Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Conoll i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të organizojë një debat publik në lidhje me sqarimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj,ambasadori O’Connell ka preferuar debatin politik për këtë çështje, e cila aktualisht po e “ndez” skenën politike në Kosovë.
“Kjo është një çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe paraqet kusht për liberalizimin e vizave”, ka thënë O’Connell. Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të shqyrtojë opsionin e hapjes së një debati publik, siç ka thënë ai, për t’i “furnizuar qytetarët me fakte”.
Mesazhet e ambasadorit britanik, pasojnë porositë e ndihmësekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, të dielën në Prishtinë, e cila tha se Kosova do të duhej t’i bënte hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se aktualisht po diskutohet brenda institucioneve se kur do të procedohet në kuvend për miratim, Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
“Kosova ende nuk është shtet anëtar i OKB-së dhe ambasadori britanik dhe unë e dimë se çka nënkupton kjo. Çdo demarkim i kufirit me Malin e Zi e shndërron atë në kufi ndërkombëtar dhe e dimë peshën se sa ia vlen të përmbyllet një proces i tillë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë, po kundërshtohet ashpër nga opozita, por edhe nga disa deputetë brenda koalicionit qeverisës. /Insajderi.com