Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ambicien për t’u bërë kryeministër i Kosovës, në një video të realizuar në rrugët e New Yorkut. Ndërsa ai flet për synimet për ta marrë drejtimin e Qeverisë, reshjet e shiut të së dielës kanë shkaktuar vërshime në kryeqytet.
Në një bisedë me vlogerin Khan Journey, Rama është pyetur për profesionin dhe planet e tij të ardhshme, me ç’rast ka treguar se synon të kalojë nga drejtimi i Prishtinës në drejtimin e gjithë vendit.
“Misioni i radhës është që të bëhem kryeministër dhe ta pastrojmë e ta rregullojmë shtetin”, ka deklaruar Rama.
Por, derisa Rama shpalos ambiciet për të udhëhequr Qeverinë, reshjet e shiut të së dielës kanë nxjerrë sërish në pah problemet me ujërat në kryeqytet.
Në bazë të pamjeve të publikuara në rrjete sociale, rruga kryesore e Veternikut që çon tek Rrethi i Flamurit është mbuluar tërësisht nga uji si pasojë e reshjeve të shiut.
Si pasojë e kësaj, në Veternik kanë filluar të krijohen edhe kolona të mëdha.
Vërshime ka pasur edhe në rrugën në drejtim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. /Insajderi.org/