Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry po vazhdon takimet e tija në Shqipëri. Ai është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Me këtë vizitë përpos zyrtarizmit të marrëveshjes shqiptaro-amerikane për strehimin e 1 mijë anëtarëve të opozitës së Iranit në Shqipëri, pikë kryesore e kësaj vizite është paketa legjislative apo reforma në drejtësi.
Siç transmeton Top Channel, amerikanët thonë se kanë dhënë këshilla konkrete në lidhje me hartimin e draftit, ashtu sikurse dhe në terma balancimi. Amerika ka ofruar ndihmë për Shqipërinë duke i sugjeruar ekspertë këshilltarë të Këshillit të Evropës.
Krejt kjo me një arsye të vetme.
“Disa prej strukturave të tyre që kërkojnë të formojnë apo riformatojnë, janë të ngjashme me ato të sistemit të drejtësisë amerikane. Për shembull, ata duan të krijojnë një strukturë hetimore të tipit Byro Federale e Hetimit (FBI), të cilën nuk e kanë. Ajo do t’ua sillte sektorin e tyre të drejtësisë në të njëjtën linjë me normat evropiane dhe amerikan”, thuhet në letrën e Departamentit Amerikan të Shtetit i sapo lëshuar për publikim në media, si agjendë e John Kerryt në Shqipëri.