Analisti politik Dusan Janjiq tha sot se beson se do të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për ri-regjistrim për shkak se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hequr dorë nga targat KM.
Janjiq i tha agjencisë Beta se Vuçiq propozoi në Bruksel që Serbia të mos shtypte targat e qyteteve të Kosovës (KM, PE, PR, PZ, DJ, GL, UR) në të ardhmen, por kryeministri i Kosovës kërkoi garanci nga Bashkimi Evropian dhe SHBA se ky vendim do të respektohet dhe se do të jetë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi mbrëmë vonë se pranon kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen për 48 orë të zbatimit të masës për ndëshkimin e shoferëve që nuk kanë ndërruar targat ilegale, ndërsa Janjiq vlerëson se masa për ndëshkimin e pronarëve me targa KM është shtyrë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Në Kosovë do të mund të voziten vetura me marka RKS dhe SRB të njohura ndërkombëtarisht, por jo me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Prandaj, banorët e veriut të Kosovës që nuk duan targa RKS do të duhet të regjistrojnë qëndrimin e tyre në Serbinë qendrore dhe të regjistrojnë veturat e tyre p.sh. KG, BG, LE dhe targa të tjera”, shpjegoi Janjiq.
Ai shtoi se numri i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë shumë shpejt do të zvogëlohet në një numër simbolik.
“Për një vit nuk do të ketë targa regjistrimi të qyteteve të Kosovës në veri të Kosovës. Vuçiq do të merr një vendim zyrtar për të anuluar shtypjen e targave të qyteteve të Kosovës dhe për të shtyrë përkohësisht dënimin e Kurtit. Problemi me riregjistrimin do të zhduket me kalimin e kohës sepse nuk do të ketë më targa KM”, tha Janjiq.