×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Haradinaj, Kurtit: Kosova u shndërruar në fajtor, Serbia në partner konstruktiv

    Insajderi
    22 November 2022 - 13:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Haradinaj për veprimet e Kurtit: Arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët për populizëm të brendshëm

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shtyrjes së vendimit për shtyrjen e afatit për targa.

    Haradinaj, sjelljet e Kurtit në raport me situatën e krijuar në vend i ka quajtur të pamatura dhe të rrezikshme. Sipas tij, mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit.

    Shkrimi i plotë i Haradinajt:

    Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme.

    Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit.

    Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve.

    E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet ë vendit.

    E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë.

    Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv.

    Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti.

    Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët;

    Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë;

    Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës;

    Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës;

    Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë;

    Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin;

    Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit;

    Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues.

    Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vëtëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark