×
  • Lajme
  • Lajme

    “Angazhime të shumta”- Qeveria Kurti vazhdon ta mbrojë Martin Berishajn, zëvendësministri e “ngrit në qiell”

    Insajderi
    17 June 2024 - 10:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes, me fjalë të zgjedhura ka përshkruar punën e Martin Berishajt gjatë një vizite në Kroaci.

    Në komunikatën që ka lëshuar Ministria e Mbrojtjes, thuhet se Berishaj e njoftoi zëvendësministrin për “angazhimet e shumta dhe të dobishme”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në përfundim të vizitës zyrtare në Kroaci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në këtë vend, ku u prit nga ambasadori, Martin Berishaj, i cili e njoftoi për angazhimet e shumta dhe të dobishme të tij dhe gjithë stafit të tij”, thuhet në njoftim.

    Berishaj është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

    “Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’”, kishte njoftuar Prokuroria.

    Nga PRSK kishin deklaruar se Berishaj ka pasur edhe më herët ftesë për intervistim por se ka kërkuar që për shkak të angazhimeve i njëjti të shtyhet.

    Berishaj është emri më i përfolur i Vetëvendosjës për përfshirje në afera korruptive.

    Aferat e tij kanë tejkaluar moti kufijtë e Kosovës. Kanë prekur Serbinë e Slloveninë.

    Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilin fillimisht u raportua nga mediat atje.

    Vitin e kaluar, mediat sllovene shkruajtën për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

    Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.

    Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj.

    Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

    Në raportimet e medies sllovene, Berishaj dyshohej se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark