Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka ritheksuar zotimin e tij për përfaqësim të qytetarëve dhe angazhim për sigurinë dhe dinjitetin e shtetit.
Përmes një postimi publik, Quni ka deklaruar se do të jetë “zëri besnik” i qytetarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se prioritetet e tij kryesore do të jenë interesi i qytetarëve, stabiliteti institucional dhe siguria e vendit.
“Interesi i qytetarit, dinjiteti i shtetit dhe siguria e Kosovës do të jenë prioritetet e mia të vetme në çdo seancë e në çdo vendim”, ka shkruar ai.
Quni po ashtu ka vlerësuar listën garuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se ajo përbëhet nga profesionistë dhe njerëz me etikë të lartë, të gatshëm për t’i shërbyer vendit.
Sipas tij, LDK-ja synon të ofrojë stabilitet dhe progres përmes përvojës dhe integritetit politik.
“Ne nuk premtojmë thjesht ndryshim, ne garantojmë stabilitet dhe progres përmes përvojës dhe integritetit”, ka theksuar Anton Quni.
Në fund të mesazhit të tij, ai ka bërë thirrje për vazhdim të rrugëtimit politik “me besim dhe përkushtim”.