Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pa bazuara me 25.10.2016, ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarve Agron Alaj, Ilir Rexhepi dhe Avni Xheladini.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 10.05.2016, është vërtetuar.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Agron Alaj është gjetur fajtor për veprat penale: Mundësim i prostitucionit dhe Shpëlarje e parave në bashkëkryerje, për çka është dënuar 6 vjet burgim dhe 50 mijë euro gjobë.
Për të njëjtat vepra janë gjetur fajtor edhe dy të akuzuarit tjerë Ilir Rexhepi dhe Avni Xheladini, të cilët janë dënuar, secili me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë, njofton Gjykata e Apelit.
“Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, të akuzuarve po ashtu u është konfiskuar përhershëm, pasuria e cila është vërtetuar se është fituar në mënyrë te kundërligjshme, e që kap një vlerë afro 1.5 milion eurove”, përfundon njoftimi i Gjykatës./Insajderi.com