Apeli përmbledhë punën njëvjeçare në shqyrtimin e rasteve të mëdha - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Apeli përmbledhë punën njëvjeçare në shqyrtimin e rasteve të mëdha

    Insajderi
    29 December 2016 - 09:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Apelit e ka bërë një përmbledhje të punës së saj sa i përket vendimeve që lidhen me raste të mëdha gjyqësore.

    Apeli ka bërë të ditur se në mars të këtij viti anuloi dënimin me burgim të përjetshëm për  të akuzuarit E.K dhe A.M. , të cilët ishin shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për  veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje .  Ndaj të parit  shqipton 25 vjet burgim, ndërsa ndaj të dytit  23.

    Në po këtë muaj, Apeli thotë se kishte marrë vendim duke ua vërtetuat dënimin disa të akuzuarve në rastin e njohur si “Medikus”. Ata akuzohen për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz.

    Ndërkaq, në prill, Gjykata e Apelit e ktheu në rivendosje rastin e njohur si APEX, duke e anuluar kështu vendimin e Gjykatës Themelore.

    Në këtë rast prokuroria kishte ngritur aktakuzë kundër  11 të pandehurve, për krim të organizuar si dhe për vepra të tjera penal.

    Ishte muaji maj kur Apeli vërtetoi aktgjykimin lirues në rastin “Kleçka”, sipas të cilit të akuzuarit për krime lufte të  këtij rasti lirohen nga akuza.

    Apeli e kishte kthyer në rigjykim rastin e njohur si ‘ish-ministrat’, ndaj Astrit Haraqisë, Valton Beqirit, Armond Morinës dhe Nehat Fejzës. Kjo ndodhi në muajin qershor.

    Dy të akuzuarit e parë i kishte shpallë fajtor  dhe i kishte dënuar me nga dhjetë muaj burgim me kusht, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare . Ndërsa i akuzuari i  tretë ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv për veprën penale mashtrim në detyrë.

    Një vendim tjetër që Gjykata e Apelit thotë ta ketë marrë në korrik, është ai për kthimin në rivendosje të çështjes së ekstradimit të shtetasit britanik A. Ch. K. S.

    Për rastin ROLEX, Apeli në shtator ua kishte ulur  dënimet për një grup të akuzuarish, për krim të organizuar.

    Po ashtu, në shtator, Apeli ia kishte vërtetuar dënimin me burgim efektiv prokurores Vahide Badivuku.

    Ajo u  shpallë fajtore  për veprën penale marrja e ryshfetit,( vepër  të cilën e  kishte kryer në cilësi të prokurores se shtetit),  dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Asaj po ashtu i është ndaluar ushtrim  i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për  tri vjet.

    Pjesë e punës njëvjeçare të Gjykatës së Apelit është edhe rasti ‘Drenica’. Në këtë rast kjo gjykatë e kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për të akuzuarit  për krime lufte, në rastin Drenica II . Jahir Demaku u dënua  me 6 vjet burgim, Sylejman Selimi  me 7 burg , Isni Thaqi me 6 vjet e 6 muaj burgim dhe Z.eqir Demaku me 6 vjet burgim, ndërsa është konfirmuar dënimi prej 3 vjet burgim për të pandehurit Agim Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj.

    Gjithashtu, në nëntor të këtij viti, Apeli publikoi aktgjykimin në rastin ‘Drenica 1’. Sipas këtij aktgjykimi, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është dënuar me 7 vjet burgim.  Kurse Sylejman Selimit i është shqiptuar një dënim i përgjithshëm prej 10 vjet burgim. Jahir Demakut i është shqiptuar një dënim i përgjithshëm prej 7  vjet burgim.

    Gjykata e Apelit thotë se në nëntor të këtij viti vërtetoi  dënimet me burgim ndaj shtatë të akuzuarve për vepra penale të ndërlidhura me terrorizëm.  Z. Q.  dënohet  me 10 vjet burgim, I.B. me 8, S.T. me 7 vjet e 6 muaj, B.B. me 4 vjet e 6 muaj, J.K. me 4, L.K. me 3 dhe I.K me 5.

    Dhjetori kishte sjellë vendimin e Apelit, përmes të cilit dënohet më 11 vjet burgim i akuzuari S.G., për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

    Vendimet e Apelit sollën edhe konfiskime të pasurisë. Kështu në dhjetor të këtij viti tre të akuzuarve, u vërtetohen dënimet me burgim dhe u konfiskohet pasuria me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

    Në rastin e njohur si “Badovci”, në po këtë muaj, u vërtetohen dënimet me burgim 5 të akuzuarve për veprën penale: Përgatitje e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Në këtë rast, i akuzuari B. L. është dënuar me 13 vjet burgim, G.H. me 12 vjet, M.H. me 10 vjet e tre muaj burgim, E.L. me 10 vjet, dhe F.M. me 4 vjet burim.

    Në punën njëvjeçare të Gjykatës së Apelit është evidentuar edhe rasti i padisë së Qeverisë së Kosovës kundër vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit dhe kompanisë austriake për prodhimin e pasaportave biometrike.

    Në këtë rast, Gjykata e Apelit e kthen në ri gjykim çështjen e padisë se Qeverisë së Kosovës kundër vendimit mbi kompetencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark