Qesharake dhe jo serioze, Bujar Dugolli po e cilëson deklaratën e gazetarit nga Shqipëria, Arian Konomi. Ditë më parë, Konomi tha se e ka njoftuar Kurtin dhe Dugollin për ekzistencën e UÇK-së, pasi ata nuk ia kishin idenë.
Në një emision televiziv, gazetari Arian Konomi bëri bujë me një deklaratë, duke thënë se ishte ai që e kishte njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe ish-deputetin, Bujar Dugolli për ekzistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ishte Fadil Ismaili që më kishte gjetur në Stacionin e Autobusëve dhe nuk më la, bujta atë natë tek familja e tij. Ai pastaj më krijoi kontaktin që unë do të takoja Albin Kurtin. Me Albinin u takuam. Ai ishte personi që së bashku me Bujar Dugollin po drejtonin protestat dhe iu thash atyre që duhet të gjej UÇK’në. Natyrisht, ata nuk kishin idenë shumë të UÇK’së dhe më pas, pastaj kur erdha nga Drenica, Albin Kurtit dhe Bujar Dugollit u tregoja unë për UÇK’në, për Drenicën, për Llaushën, për Rezallën”, deklaroi Konomi.
Bujar Dugolli, ish-lider i Lëvizjes Studentore duke qeshur më këtë deklaratë, i ka thënë Gazetës Insajderi se Konomit mund t’i jetë dëmtuar kujtesa.
“Atij mund t’i jetë dëmtuar kujtesa dhe nuk i kujtohen gjërat mirë. Por unë mendoj se kushdo që e njeh veprimtarinë time dhe e dinë se unë për ekzistimin e UÇK-së dhe kontaktet me grupin e parë të Drenicës i kam prej 1992 prandaj të thotë dikush se nuk e ka ditë z.Dugolli por edhe bashkëpunëtorët e tij për UÇK-në mendoj që është një shkarje e madhe sepse s’ka të bëjë asgjë me realitetin”, ka deklaruar Dugolli.
Dugolli ka potencuar se kontaktet e para me UÇK-në i ka qysh nga viti 1992 dhe nuk kishte mundësi të mos ishte në dijeni, kur edhe vëllezërit i ka pas pjesëtarë.
“Duhet ta kuptoni një gjë, se kushdo që ka ardh në zyrë të unionit në atë kohë do të thotë as anëtarët e kryesisë e as ne normal që nuk jemi prononcu sepse nuk kemi zbulu kontaktet dhe bashkëpunimin që e kemi pas me UÇK-në, qoftë gazetarë ose njerëz që vijnë për një punë të caktuar e ikin. Ama të na tregoj se ekziston UÇK-ja mendoj se është hajgare, sepse unë vij nga Drenica dhe gjithë vëllezërit i kam pas pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fillimet dhe nuk ka si të më tregoj dikush mua për ekzistimin e UÇK-së kur familja ime ka qenë bastion e bazë e UÇK-së”, ka deklaruar Dugolli për Insajderin.
I pyetur nëse i kujtohet se çfarë ka diskutuar gjatë takimit me Konomin, Dugolli ka thënë se nuk i ka kushtuar rëndësi atij takimi, pasi nuk ishte dikush i veçantë.
“Të them të drejtën nuk më kujtohet se çfarë kam biseduar me Konomin në atë kohë, se nuk është një person që ka qenë i veçantë për faktin se kanë ardhë me qindra gazetarë e shoqërues të huaj. Do të thotë ai ka mund të tregoj ato përshtypjet e veta por të na tregoj neve se ekziston UÇK-ja, jo”.
Në fund, Dugolli ka shtuar se shtëpia e tij ka qenë bastion i UÇK-së dhe t’i tregoj atyre se kush është UÇK-ja është joserioze. /Insajderi
Lexo edhe: