Insajderi
Lajme

Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes

Insajderi
21 June 2026 - 20:55
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Arifi: Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Avni Arifi, iu ka bërë thirrje institucioneve që të kërkojnë publikisht nga qytetarët e Kosovës që të mos marrin pjesë në protestat në Shqipëri, që po zhvillohen kundër qeverisë së Edi Ramës.

Arifi, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, ka komentuar prezencën e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në protestat në Shqipëri. Ai e ka quajtur si veprim “irritues” dhe “fyes”, shkruan Insajderi.

“Flamuri i UÇK-së në protesta kundër qeverisë në Shqipëri është irritues dhe fyes. Përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta të brendshme politike në Shqipëri është i pavend, sepse synon të politizojë një simbol që i përket një kauze krejt tjetër. Nuk i duhet askujt një përçarje e re dhe askush nuk ka të drejtë t’i fusë hundët në një çështje që u përket vetëm shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri”, ka deklaruar ish-kandidati për deputet.

Arifi ka bërë thirrje ndaj institucioneve të Kosovës që të dalin me reagim publik dhe të kërkojnë nga qytetarët e vendit që të mos marrin pjesë në protestat e një shteti tjetër.

“Krerët e institucioneve në detyrë të Kosovës dhe liderët e partive politike duhet që publikisht t’u kërkojnë elektoratit të tyre dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës të mos përfshihen në zhvillimet politike në Shqipëri. Askush nga Kosova nuk ka të drejtë të marrë pjesë në manifestime pro apo kundër Qeverisë së Shqipërisë. Shqipëria nuk është sulmuar ushtarakisht që kjo të përbënte një kauzë për t’i dalë në mbrojtje shtetit shqiptar”, deklaroi Arifi.

Arifi ka thënë se shqiptarët nga Kosova duhet të merren me subjektet politike në vend.

“Shqiptarët nga Kosova duhet të merren me partitë e tyre, të cilat tash e dy vjet po tregohen të paafta për të ndërtuar institucione, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë së Veriut le të merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të gjuhës shqipe në vendin e tyre, nëse e shohin të nevojshme”, tha ai. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark