Analisti Arjan Konomi, ka folur për jetën e tij personale. Ai është rikthyer në televizion pas një shkëputjeje të gjatë dhe ka pasur shumë për të treguar.
“Kam jetuar në Vuno, në shtëpinë e gjyshërve. Ishte një rikthim pas në fëmijërinë time, ndjesi të papara dhe kam marrë kohën për të shkruar dy librat. Po të isha në Tiranë nuk do të mund ti shkruaja librat”.-rrëfen Konomi.
Para “izolimit” në Vuno, Konomi ka udhëtuar shumë. Njihet si aventurieri që ka vizituar shumë vende të botës.
“Udhëtimet më të bukura i kam bërë kur kam qenë student dhe s’kisha lekë. Udhëtoja me mjete rrethanore.”
Ndan ndër të tjera një moment të këndshëm nga Japonia: “Në Japoni doja ti mësoja ca fëmijëve këngë labçe, unë këndoja ata bënin iso”.
Si asnjëherë më parë, ai ka treguar për raportin që ka bërë për UÇK nga Kosova në 1998.
“Kam bërë raportin e parë për UÇK-në në botë. Shkova në Drenicë me një dokument si gazetar italian. Kam rrezikuar jetën duke u hequr si italian sepse asnjë shqiptar s’kishte shanse të hynte në Kosovë atë kohë. Kam qenë te familja e Fadil Gecit, policia serbe qëlloi, por u fshehëm”
Sipas tij, serbët i thoshin popullit të Kosovës se UÇK ishte organizatë terroriste dhe markiste. “Fola shumë me ta që ti thoja se nuk ishte ashtu dhe se UÇK-ja do ti ndihmonte”.
“Raporti im është publikuar në qershor 1998, pati shumë sukses, La Repubblica e nxirrte çdo dite në gazetë”- thotë Konomi duke shtuar se e do dhe e kupton shumë Kosovën sepse ka parë çdo gjë nga afër.
Më tej ai tregon për eksperiencën në politikë: “Kam qenë këshilltar i presidentit Moisiu, më kishte parë në Itali. Nga kjo përvojë interesante njoha intrigën, mashtrimin, korrupsionin në politikë. Thashë kjo është hera e parë dhe e fundit për mua në politikë”.
Konomi njihet si personazh publik që ka dalë në mbrojtje të homoseksualëve dhe thotë se çdo kush ka të drejtën e zgjedhjes. Por habit kur thotë se është kundër martesës.
“Jam kundra martesës në përgjithësi, është një kontratë, një formë shantazhi”. Sot shumë martesa janë të sforcuara, nga familja, fëmijët. Jeta është shumë e shkurtët për ta jetuar bukur dhe shumë e gjatë për ta jetuar vetëm me një njeri”- shton më tej.