10:20 - 25 Nëntor 2021

Gjilan –  Gjykata Themelore në Gjilan, ka pranuar propozimin e mbrojtësit të dyshuarit J.M., avokat Mustaf Musa duke e caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit J.M., i cili dyshohet se fitoi tender me dokumente të rreme në Komunën e Gjilanit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurori i shtetit Agron Uka, duke shtuar “Prokuroria ka bërë ankesë për caktimin e masësë së arrestit shtëpiak nga gjykata”.

Ndryshe, prokurori i shtetit Agron Uka kishte bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit J.M., me dyshimin se ka kryer veprat penale‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’ dhe për ’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri J.M., pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumentacion të rremë, ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.

Me këto veprime, i pandehuri J.M., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’, nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, i njëjti, pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër, ashtu që ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij.

Në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet edhe për veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, nga neni 391 të KPRK-së.