A ra ish prokurori i rastit në gracke, kur urdhëroi arrestimin e 12 zyrtareve të ATK-së, apo ishte pjesë e një skenari të koordinuar dhe i orkestruar nga ish menaxhmenti i lartë i ATK-së, në emër kinse të parandalimit të dëmtimin të buxhetit mbi 2,7mil €.
• Ish strukturat udhëheqëse të ATK-së në paraqitje publike nuk tregojnë të vërteten, se të arrestuarit kanë ngarkuar biznesi “Blueplan” Shpk, me TVSh mbi 3,8 mil. €, ndërsa theksojnë se parandaluan dëmtimin e buxhetin mbi 2,7mil € nga aprovimi i kreditimit të TVSh-së prej mbi 2,7 mil. € për subjektin “Lakeside” Shpk (i njëjti person aksionar 100% ne të dy bizneset). Në anën tjetër, fshehin faktin se ri-kontrolli i dytë përmes Raporteve të Ri-kontrollit të datës 21.10.2021, ka fshirë borxhin tatimor mbi 3,8 mil. € të biznesit “Blueplan” të cilin e kishin ngarkuar të arrestuarit, duke fshirë dhe kreditimin mbi 2,7 mil. € të biznesit “Lakesade”, të cilin kreditim e kishin aprovua të arrestuarit, ku nga rezultati përfundimtar të ri-kontrollit të dytë, kemi dëmtimin e buxhetit mbi 1 mil. €, kur krahasohet borxhi tatimor me kreditim;
• Është mashtrim i ish menxhmentit të lartë të ATK-së, kur deklarojnë në konferencën e organizuar për media me 11.01.2024, se u parandalua dëmtimi i buxhetit të shtetit dhe penguan ekzekutimin e rimbursimit të kreditimit të TVSh-së prej mbi 2,7 mil. €, sepse urdhëresa e përmbaruesit privat për ekzekutimin e rimbursimit, është parashtruar me 25 maj 2021 e cila ishte bllokuar në procedurë të prapësimit e parashtruar me 26 maj 2021 nga Zyra e Përfaqësimit të ATK-së. Me pastaj, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, me aktvendim KPPP. nr.1206/22 të datës 23 tetor 2023, ka pranuar si të bazuar prapësimin e debitorit Ministria e Financave-ATK-së, edhe anulon urdhrin përmbarimor P.116/2021 i datës 12.05.2021 (vërtetuar dhe nga shkalla e dytë e gjykatës K.DH.SH.II.nr.1603/23 datë 25.01.2024);
• Tani ish prokurori i rastit, dhe ish menaxhmenti i ATK-së, duhet t’i sqarojnë opinionit publik, se, si, u parandalua dëmtimi i buxheti mbi 2,7 mil. € me arrestimin e 12 zyrtareve të ATK-së, kur faktet flasin se urdhri përmbarimor për ekzekutimin e kreditimit të TVSh-së ishte bllokuar me 26 maj 2021 në procedurë të prapësimit, dhe urdhri përmbarimor ishte anuluar nga Gjykata me 23 tetor 2023, ndërsa zyrtarët u arrestuan me 9 janar 2024;
• Nga ana tjetër, ATK-ja ka mundur ta pezulloje kërkesën për rimbursimin e kreditimit të TVSh-së, përderisa ka ekzistuar borxhi tatimor aktiv pronarit të njëjtë në biznesin tjetër “Blueplan”, për të cilën nuk ka mundur ta siguroj dhe inkasoj pagesën. Bazuar ne nenin 25 dhe 33 të Ligjit Nr. 03/L-222 (përgjegjësia e palëve të lidhura), lejojnë ATK-në të marrë masa ndaj personave të lidhur ose përfshire biznese të ndryshme nen kontroll të të njëjtit aksionar 100%, siç është rasti konkret, nëse ka dyshime për shmangie tatimore ose për të shmangur pagesat. Në situata të këtilla, si zgjidhje ka mundur të ishte që pronari i bizneseve të bënte vetë kërkesë ATK-së për kompensim të borxhit me kreditim (thyerje debi-kredi), nëpërmjet marrëveshjes trepalëshe duke përfshirë ATK-në. Pra ish menaxhmenti i lartë i ATK-së, duke mos treguar të vërteten, tenton të manipulojnë opinionin publik për të fshehur favorin që ja kanë bërë të njëjtit pronar-aksionar për biznesin tjetër “Blueplan”, kur në shkelje ligjore është fshirë ngarkesa tatimore mbi 3,8 mil. € e vlerësuar nga zyrtaret e arrestuar. Andaj, arsyetimet nga ish menaxhmenti i lartë dhe ish prokurorit, se me arrestimin e zyrtareve të ATK-së u parandalua dëmtimi i buxhetit mbi 2,7 mil. €, ishte thjeshtë vetëm një spekulim;
• Nuk është e vërtetë deklarata publike e ish prokurorit për media në prezence të zyrtarëve të policisë kur deklaroi:”sot jemi duke trajtuar një rast me fatura fiktive, janë në pyetje 2,8 mil. € të cilat disa zyrtare të ATK-së i kanë legjitimua faturat fiktive të dy pronarëve të bizneseve të ndryshme njërin në Prizren e njërin në Podujeve, …”, sepse e vërteta është krejtësisht ndryshe. Është fakt i pakontestueshëm, se asnjë nga 23 fatura në total mbi 18 mil. € të lëshuar nga subjekti “Batatina” në Podujevë për subjektin “Blueplan” në Prizren, nuk janë legjitimua nga zyrtaret e ATK-së të arrestuar, por të gjitha faturat janë eliminuar duke i trajtuar si transaksione fiktive. Nga ky veprim i mosnjohjes se TVSh-së së zbritshme, subjekti “Blueplan”, nga të arrestuarit është ngarkuar me tatim për pagesë të TVSh-së mbi 3,8 mil. €. Ndërsa nga transaksionet ndërmjet bizneseve të njëjtit aksionar: “Blueplan”-“Lakesade”, ka rezultuar kreditimi i TVSh-së prej 2,7 mil. € për subjektin “Lakeside”. Asnjëherë ish prokurori i rastit dhe ish udhëheqja e lartë e ATK-së, në paraqitje dhe njoftime publike, nuk e përmendin faktin së zyrtaret e arrestuar e kanë ngarkuar me TVSh mbi 3,8 mil. € subjektin “Blueplan”, e cila ngarkesë tatimore është fshirë nga ri-kontrolli i dytë i udhëhequr nga njësiti hetimor i ATK-së, që paraqet shkelje flagrante të legjislacionit tatimor të Kosovës (neni 52.2 i Ligjit Nr. 05/L-037, neni 33.12 i Ligjit Nr. 03/L-222) dhe Direktivës të BE-së për TVSh (neni 203 i Direktivës nr.2006/112/EC);
• Si të komentohet fakti i arrestimit të zyrtareve të ATK-së, pse në harmoni me dispozita ligjore e kanë ngarkuar biznesin “Blueplan” me TVSh mbi 3,8 mil. €, ndërsa amnistohen ata qe kundërligjshëm e fshinë TVSh-në mbi 3,8 mil. € këtij subjekti, si dhe ata që fshinë mbi 2,7 mil. € biznesit “Batatina”, apo ne total u fshinë kundërligjshëm mbi 6,5 mil. €. Andaj, të gjithë ata që kanë fshirë TVSh-në përmes vlerësimit tatimor në procedurë të kontrollit, ata që kanë urdhëruar ose aprovuar që biznesit “Blueplan” të fshihet borxhi i TVSh-së, kanë vepruar në shkelje flagrante të legjislacionin tatimor. Nga kjo përgjegjësi, nuk mund të amnistohet ish prokurori i rastit, krimet ekonomike, si as eksperti i parë i angazhuar nga ish prokurori i cili referuar ekspertizës së tij, të datës 15.03.2024 (arrestimi i zyrtareve me 09.01.2024), ka anashkaluar mbi 15 prova relevante që kanë pasur impakt për verdiktin e drejtë të çështjes kontestuese, sepse për mos dije ligji askënd nuk e mbron. Sipas ligjit, TVSh-ja e shënuar në faturë është detyrimisht e pagueshme jo vetëm mbi transaksionet realisht të ndodhur, por dhe mbi transaksionet fiktive. Kështu që ATK-ja konform nenit 33.12 të Ligjit Nr.03/L-222, nuk ka pasur të drejtë ligjore të fshij borxhin tatimor bizneseve pa skaduar afati ligjor prej gjashtë viteve i përpjekjeve për arkëtimin e borxhit, ku ky afat mund të zgjatët përtej gjashtë viteve për periudhën ankimore deri të vendimi përfundimtar, plus gjashtë muaj shtesë;
• Se TVSh-ja është detyrimisht e pagueshme mbi transaksionet fiktive, provohet dhe nga vendimet e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, që kanë trajtuar rastet e këtilla. Si ilustrim do marrim rastin C-442/ të datës 30.01.2024, ku një punonjëse në një stacion karburanti në Poloni, ka lëshuar më emër të kompanisë 1,679 fatura me transaksione fiktive. Para gjykatës nuk ka pasur asnjëherë dileme a duhet të paguhet TVSh-ja, por pyetja kryesore e gjykatës ka qenë: kush duhet të paguaj TVSh-në e shënuar në fatura ? A është biznesi i shënuar në fatura apo punonjësja e cila ka prodhuar dhe firmosur faturat. Gjykata shkon përtej kësaj, për të vërtetuar së biznesi a ka pasur politika adekuatë të kontrollit të brendshëm për të parandaluar mashtrimet. Pasi që gjykata ka konstatua dhe vërtetuar mungesën e një strukture të organizimit të mjaftueshëm të kontrollit të brendshëm, atëherë në pajtim me nenit 203 të Direktivës për TVSh të BE-së, është vendosur të jetë kompania përgjegjëse për pagesë të TVSh-së;
• Në kontekst të kësaj, dëmtimi real i buxhetit të shtetit, a ndodhi nga ata që u arrestuan të cilët ngarkuan subjektin “Blueplan” mbi 3,8 mil. € (potencialisht plus mbi 2 mil. € kur do të përshihej në vlerësim TAK/2020) dhe aprovuan kreditimin e TVSh-së në vlerë prej mbi 2,7 mil. €, apo u dëmtua buxheti nga ri-kontrolli i dytë që fshiu “Blueplan-it” ngarkesën tatimore për TVSh mbi 3,8 mil. € dhe fshiu biznesit “Lakeside” rimbursimin mbi 2,7 mil. €, me rezultat përfundimtar duke favorizuar të njëjtin pronar mbi 1 mil. € nga krahasimi i borxhit me kreditim në dëm të buxhetit (gjendja sipas Njoftim Rivlerësimeve), e i cili fakt në vazhdimësi është fshehur nga ish menaxhmenti i lartë;
• Si është e mundur që te arrestohen katër zyrtar të Regjionit të Prizrenit të cilët kanë vepruar tërësisht sipas rekomandimit të njësitit hetimor të datës 10.08.2020, i cili njësit është përgjegjës për hetimin e veprave penale në fushën tatimore sipas nenit 74 të Ligjit Nr.04/L-222, e mos të arrestohet paneli i Divizionit te Ankesave (DA), të cilët kanë refuzuar ankesën e biznesin “Blueplan” dhe kanë vërtetuar vlerësimin e kontrollit nga Prizreni, kur dihet se vendimi i DA-së sipas legjislacionit tatimor është vendimi i fundit i Drejtorit të Përgjithshëm dhe si i tillë detyrues për ATK-në (neni 77.5 i Ligjit Nr.03/L-222 dhe neni 44. 52 i UA nr. 15/2010), ku dhe raporti i kontrollit të njësitit hetimor të ATK-së, mund të kontestohet në procedurë ankimore nga tatimpaguesit në DA.
• DA-ja gjatë shqyrtimit të ankesës, nuk merret vetëm me vlerësimin e pretendimeve ankimore, por trajton dhe ligjshmërinë e vlerësimit tatimor nga kontrolli për periudhën dhe llojin e njëjtë të tatimit, edhe për parregullsi të evidentuara është dashur të veproj ex officio për eliminimin e tyre, ose që lëndën të kthej në rishqyrtim dhe rivendosje. Ligjdhënësi ka paraparë dhe situata pas vendimit të DA-së, të Bordit dhe të Gjykatave, në rastet kur zbulohen faktet e reja nga ATK-ja, ato fakte brenda gjashtë (6) viteve nga data e dorëzimit të Njoftim Rivlerësimeve, mund të përdoren në bërjen e një vlerësimi tatimi shtesë i cili mund të jetë obligim (neni 20.1, 77.5 dhe 79.5 të Ligjit Nr. 03/L-222), por jo si ri-kontroll të periudhës dhe llojit të njëjtë tatimor pas vendimit të DA-së, siç është vepruar në mënyre të paligjshme, duke hapur dy ri-kontrolle për periudhën dhe llojin e njëjtë të tatimit;
• Pse njësiti hetimor në të njëjtën shkresë të datës 10.08.2020, kur nga ekzaminimi i të njëjtit dokumentacion shkresor nga dosja, i ka rekomanduar kontrollit në regjionin e Prizrenit, vetëm eliminimin e faturave të subjektit “Batatina” për blerësin “Blueplan”, ndërsa ka heshtur duke mos kontestuar transaksionet ndërmjet subjektit “Blueplan” dhe “Lakeside”. Ku qëndron arsyeja që njësiti hetimor heshti mbi katër muaj nga data kur ka ekzaminuar dokumentacionin e njëjtë nga data 01.07.2020 deri të vendimi i DA-së me 05.11.2020, dhe nuk ka vërejtur mungesën e analizës të rrjedhës të parasë ne mes bizneseve të njëjtit aksionar, ndërsa këtë lëshim ky njësit e hetoj në kohen rekorde për katër ditë pas vendimit DA-së;
• Si është e mundur të arrestohen tetë zyrtare të ri-kontrollit të pare dhe katër zyrtare nga regjioni i Prizrenit, kur vlerësimi i tyre tatimor (diferencë simbolike) ishte identik me vendimin e DA-së, me dy aktgjykime në dy shkallë të Gjykatës Komerciale, dhe se fundi me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, dhe kur dihej se ri-kontrolli i parë për biznesin “Lakeside”, nuk kishte aprovuar kërkesa për rimbursim të kreditimit të TVSh-së mbi 2,7 mil, por e ka lanë si balancë kredituese për periudhën 02/2020. Kjo nënkupton se për realizimin e rimbursimit, do duhej domosdo të zhvillohen procedura tjera brenda Divizionit të Rimbursimeve të ATK-së, ku raporti i ri-kontrollit nuk ka atribut juridik dhe si i tillë nuk ka pasur bazë ligjore për ekzekutim;
• Pas nxjerrjes së vendimit të DA-së, nuk ka asnjë bazë ligjore për hapjen e çfarëdo ri-kontrolli apo vlerësim të raporteve të kontrollit nga Divizioni i Kualitetit, për të rekomanduar hapjen e ri-kontrollit. Andaj të dy ri-kontrollet e kryera si të tilla janë të paligjshme përderisa vendimi i DA-së ishte në fuqi. Kjo do të thotë se për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtin lloj tatimi, ATK nuk ka të drejtë të zhvilloj ri-kontroll që synon të ndryshoj rezultatin e vendimit të DA-së, sepse vendimi është përfundimtar administrativisht brenda ATK-së i cili mund të ndryshohet vetëm përmes procedurës ankimore në shkallë ma të larta, e jo nga vetë ATK-ja;
• Pikërisht është ri-kontrolli i dytë, që ka dëmtuan buxhetin e shtetit, duke fshirë në shkelje flagrante të dispozitave ligjore ngarkesën tatimore për TVSh mbi 3,8 mil €, me arsyetim të ish menaxhmentit se nuk mund ta inkasojnë këto mjetë nga biznesi “Blueplan”. Një arsyetimi këtillë, është plotësisht i paqëndrueshëm, sepse pavarësisht pse hoteli është i regjistruar në emër të personit të trete (një prindi) në kadastër (B+P+6) të Prizrenit, ATK-ja ka të drejtë ligjore të vendosë barë tatimore, ku sipas nenit 33.12. të Ligjit Nr.03/L-222 barra tatimore përfundon gjashtë (6) vite nga data e vlerësimit dhe obligimit tatimor (kur ka ankese zgjatet afati plus për periudhën ankimore deri të vendimi përfundimtar, plus gjashtë muaj shtesë). Andaj ATK-ja për të inkasuar borxhin tatimor në bazë të një vendimi përfundimtar të plotfuqishëm, mund t’i shes të gjitha pronat që i takojnë dhe palës së trete për të cilin është konstatuar se është pronar përfitues i biznesit i cili ka krijuar detyrime tatimore (nenet 33-36 të Ligjit Nr.03/L-222);
• Shtrohet pyetja e kujt është tani përgjegjësia, kur Gjykatat në gjitha instancat në procedure administrative, për biznesin “Blueplan” kanë vërtetuar detyrimin tatimor mbi 3,8 mil. €, që është identik me vlerësimin tatimor të zyrtareve të arrestuar. Aktgjykimi i plotfuqishëm është detyrues për ekzekutim nga ana e ATK-së, në të kundërtën mos ekzekutimi paraqet vepër penale. Kjo nënkupton domosdo ri-kthimin e ngarkesës tatimore për debitorin “Bluoplan”, pavarësisht nga vendimi i ri-kontrollit të dytë për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe kthim në gjendje zero tatim, me çka vërtetohet se arrestimi i zyrtareve të ATK-së ishte i kundërligjshëm;
• Në kontekst të këtyre argumenteve, edhe Zyra Ligjore e ATK-së në procedurë të përgjigjes ndaj padisë së paditësit (“Blueplan”) kundër vendimit të DA-së, ka propozuar refuzimin e padisë si të pabazuar dhe të vërtetohet vendimi i DA-së si i bazuar dhe i ligjshëm. Pra dhe Zyra Ligjore e ATK-së si organ ma kompetent për interpretimit të dispozitave ligjore, fakton për vlerësimin e drejtë tatimor të ngarkesës tatimore për subjektin “Blueplan” nga të arrestuarit;
• A është 30% i shumës së rimbursimit të kreditimit të TVSh-së, i kërkuar pronarit të dy bizneseve nga individët e njësitit hetimor të ATK-së jashtë grupit të arrestuarve, siç ka deklaruar publikisht pronari i bizneseve në seancë të gjykatores me 11 janar 2024, arsyeja për veprime manipuluese të ish menaxhmentit të lartë, që të fusin në kurth prokurorin për arrestimin e 12 zyrtarëve të ATK-së, për të maskuar aferën e 30% dhe fshirjen e kundërligjshme të TVSh-së mbi 3,8 mil. €, si alibi se u parandalua ekzekutimi i rimbursimit mbi 2,7 mil. € në dëm të buxhetit, kur dihej se një ekzekutim i tillë nuk mund të ndodhtë për faktin se gjykata paraprakisht e kishte anuluar urdhrin përmbarimor të përmbaruesit privat.
Skender Kolgeci,
Ish Kryetar i Bordit të Pavarur për Rishqyrtime të Ankesave
Vërejtje: ky tekst është shkruar në qershor të vitit 2024, por nuk është çua për botim me qëllim të mos pengohen hetimet.