Nga aksioni “Pika”, i realizuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale në kufirin Kosovë-Shqipëri janë arrestuar rreth 50 zyrtarë policor.
Për aksionin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë për Insajderin se kanë bashkëpunuar për aksionin teksa shton se do të merren masa ndaj kujtdo që bie ndesh me ligjin, përfshirë edhe punonjës të PK-së.
“Referuar kërkesës suaj lidhur me operacionin në fjalë ju informojmë se, Policia e Kosovës sipas autorizimeve ligjore dhe fushëveprimit të saj ka bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, tha Kelani për Insajderi.
“Si çdo herë Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë edhe ndërmarrjen e masave ndaj kujtdo që bie ndesh me ligjin, përfshirë edhe punonjës të PK-së”, deklaroi ai.
Më tej, Kelani është shprehu se përmbushja e misionit dhe vizionit policor, fuqizimit të integritetit policor dhe rritjes së mëtejme të profesionalizmit, besueshmërisë dhe imazhit policorë, mbeten prioritet i Policisë së Kosovës.
Aksioni “Pika” është duke vazhduar.
Kështu ka konfirmuar për Insajderi zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka.
“Aksioni në pikat kufitare Qafë Morinë dhe Qafë Prushë është duke vazhduar, do t’ju njoftojmë për zhvillimet e më tejme”, ka thënë shkurt ai.
/GazetaInsajderi