Janë arrestuar dy policët kufitarë malazias të cilët keqtrajtuan dhe rrahën shtetasin shqiptar, Petraq Milo, në janar të këtij viti, shkruan Insajderi.
Kështu mësoi jozyrtarisht transmetuesi publik malazias.
“Ushtruesi i detyrës së prokurorit në ZDT në Ulqin, siç mësohet jozyrtarisht, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve të cilët dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriçan, në të cilën ndodhi keqtrajtimi i një shtetas shqiptar. Në fjalë, siç mësojmë, janë policët D.Š. dhe NB”, thuhet në njoftimin e televizionit publik të Malit të Zi.
Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Filip Axhiq, duke folur për rastin me policinë kufitare, ka thënë se MPB-ja ka nisur të gjitha procedurat ligjore.
Ai shtoi se nëse ka elementë, i bën thirrje prokurorisë që të përfshihet në atë rast.
Më herët, Komisioni i Etikës njoftoi se një video e asaj ngjarje u shfaq në media më 17 janar dhe se po atë ditë kryetari i atij organi u dërgoi anëtarëve një iniciativë për të vlerësuar etikën e veprimeve të punonjësve të policisë së Sektorit të Policisë Kufitare./Insajderi/