Biznesmeni Xhelal Selimi, pronar i kompanisë “Calabria” në Gjilan është arrestuar sot nga Policia e Kosovës. I është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ka njoftuar sot Prokuroria e Shtetit. Vendim i njëjtë është marrë edhe për tre zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët po mbahen në arrest shtëpiak.
Prokuroria ka njoftuar se ndaj këtyre katër vetave janë kryer hetime disamujore me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Tre zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, ndërsa biznesmeni gjilanas dyshohet se ka kryer veprën penale “mashtrim me subvencione”.
“Shuma e keqpërdorimit është mbi dyqind mijë (200.000) euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në njoftimin e prokurorisë nuk jepen më shumë detaje lidhur me këtë rast. Ndërkaq, dokumentet publike të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se biznesmeni Xhelal Selimi ka përfituar 201 mijë e 100 euro nga shteti në dhjetor të vitit 2015.
Kompania e tij “Calabria”, ishte vlerësuar me 90 pikë nga Ministria e Bujqësisë për grantin e emërtuar “Investime në spektrin e sigurisë së ushqimit dhe rritjen e kualitetit në thertore- Gjilan”.
Thertorja e biznesmenit Selimi gjendet në fshatin Veleknicë të Gjilanit. Ajo ishte vizituar në korrik të vitit 2015 nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Po ashtu, në prill të vitit 2016, kryetari Haziri bashkë me ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi, kishin vizituar fabrikën e Xhelal Selimit në fshatin Shillovë të Gjilanit. Kishin bërë përurimin e fillimit të punës së fabrikës regjionale të ngrirjes “Calabria”, e cila funksionon si “depo-frigorifer”, i pemëve të imëta dhe vishnjave të kultivuara në rajonin e Anamoravës.
Selimi e ka blerë këtë fabrikë në procesin e privatizimit.
Nga aty, Haziri e Krasniqi nuk kishin kursyer fjalët më të mira për biznesmenin gjilanas, i cili sot mbahen në arrest shtëpiak.
Ministri Krasniqi, duke folur për ngritjen e sektorit të bujqësisë, kishte pohuar se “në këtë kuadër shembulli i “Calabrisë” është i mirë, sepse do të ndikojë direkt në ngritjen e vlerës së prodhimit që do të ndikojë direkt te siguria e fermerëve.
Ndërkaq, kryetari Haziri e kishte vlerësuar si sukses hapjen e fabrikës nga biznesmeni Selimi. Kishte shtuar se biznesmenit Selimit i ishin bërë padrejtësi në procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje shoqërore.
“Bujqësia zë vendin kryesor në Gjilan. Historia e privatizimit të këtij aseti ka qenë jashtëzakonisht e dhimbshme. Por duke e njohur Xhelalin që ka qenë aq insistues dhe aq konkurrues, edhe të drejtën ligjore të privatizimit e ka fituar për herë të dytë”, kishte pohuar Haziri.
Haziri, po ashtu, kishte deklaruar se “hapja e fabrikës nga biznesmeni Selimi është shpresë për ringjalljes e bujqësisë në Gjilan”./Insajderi.com