Të mërkurën, Policia e Kosovës ka arrestuar një femër e cila prej rreth 5 vjetëve kishte mashtruar një numër të madhe të qytetarëve të Kosovës kinse është gruaja e biznesmenit Shkelzen Jusaj.
Gruaja e arrestuar nga policia e cila në opinion është deklaruar me emrin e rrejshëm Angjelina Jusaj ka mashtruar njerëzit kinse punon në KFOR, EULEX, por edhe shumë institucione tjera ndërkombëtare në vend.
Në raportin e rregullt ditor policia ka njoftuar se të mërkurën (16.11.2016) në rrugën “Fehmi Agani” është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara femër Shqiptare dhe e njëjta pas intervistës me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje.
Gazeta u ka dërguar pyetje edhe Policisë së Kosovës, por deri më tash nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.
Në anën tjetër Jusaj i kontaktuar nga gazeta “Zëri” thotë se femra tashmë e arrestuar ka mashtruar shumë qytetarë duke u prezantuar si bashkëshortja e tij.
Ai thotë se gruaja e arrestuar atë e ka shqetësuar tej mase pasi siç thotë ai kjo ka dëmtuar shumë qytetarë.
“Për vite të tëra kjo është prezantuar si bashkëshortja ime dhe shumë ka mashtruar”, ka thënë ai.