F.B. është arrestuar nën dyshimin për sulm me granatë dore në shtëpinë e Bahri Hysenit, kryesuesit të bordit të ndërmarrjes publike “Trepça”.
Një gjë të tillë e ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, duke thënë se të dyshuarit i është ngarkuar vepra penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës. Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më 30 gusht, Hysenit i është hedhur bombë në oborrin e shtëpisë së tij, në Mitrovicë.
Shpërthimi i bombës ka shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e tij, ndërsa dëme në njerëz s’ka pasur.
Nga fotografitë e siguruara nga Insajderi, shihet se nga shpërthimi kryesuesit të bordit të “Trepçës” i është thyer xhami i disa veturave dhe i është dëmtuar një derë të shtëpisë.