
Policia në Gjakovë ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Fajde”, pasi ishte kapur në flagrancë duke marrë pagesën e kamatës nga një viktimë.
Sipas informacioneve nga policia, arrestimi ka ndodhur kur i dyshuari ishte duke realizuar pagesën e fajdes.
Pas arrestimit, me urdhër të gjykatës, është zhvilluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.
“Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar 10 mijë euro në para të gatshme, një telefon celular, një veturë me targa vendore, si dhe fletore dhe dokumente të tjera që lidhen me rastin”, njofton policia.
Pas intervistimit, dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.