Policia holandeze arrestoi një politikan në Hagë, nën dyshimin se ishte i përfshirë në një komplot për të vrarë kryeministrin Mark Rutte.
Shërbimi i sigurisë së kryeministrit bën me dije se lideri i Partisë së Unitetit, Arnoud van Doorn, u arrestua të dielën. Ai po sillej në një mënyrë shumë të dyshimtë pranë zonës ku ndodhej dhe kreu i qeverisë. Pasi u mor në pyetje, politikani i njohur u lirua ditën e hënë.
Avokati i tij mbrojtës dënoi ashpër reagimin e autoriteteve, duke thënë se Van Doorn nuk duhej të arrestohej pasi ndaj tij nuk kishte asnjë provë apo dyshim për akuzën e rëndë.
Arrestimi i politikanit u raportua vetëm të martën, pasi mediat nxorrën lajmin se ishin shtuar masat e mbrojtjes për kryeministri Rutte, pasi mund të ishte objektiv i një sulmi apo rrëmbimi nga grupet kriminale.
Sipas “De Telegraaf”, 54 vjeçari Rutte është ndjekur disa herë nga disa persona të lidhur me një grup trafikanësh dhe për këtë arsye kjo ngjarje është konsideruar një kërcënim serioz.
Prokurorët në Hagë konfirmuan për mediat arrestimin e Van Doorn dhe thanë se një hetim ishte ende në vazhdim.
Një zëdhënës i prokurorisë tha se kishte dyshime se zoti van Doorn po përpiqej të mblidhte informacion për përgatitjen e tentativës së vrasjes.c