Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar sot Xhelal Sveçlën, Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.
Sveçla është njëri nga 27 anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që akuzohen për dëmtimin e veturave të EULEX-it gjatë një aksioni të VV-së në vitin 2009.
Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka thënë se arrestimi i Sveçlës është tentim për ta penguar punën e tij si në nivel lokal ashtu edhe në atë qëndror, në mënyrë që t’i hapet rrugë krimit të organizuar e korrupsionit që udhëhiqet nga eksponentë të LDK-së dhe PDK-së.
“Isa Mustafa është përgjegjësi kryesor për krimin urbanistik në Prishtinë, krim ky i denoncuar e i ndalur nga Xhelal Sveçla dhe Lëvizja Vetëvendosje.”
Sot pritet që edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, zëdhënësi Frashër Krasniqi dhe shumë drejtues tjerë të lartë të këtij subjekti politik, dalin sot para drejtësisë për vepra penale që supozohet se i kanë kryer shtatë vjet më parë./Insajderi,com