Arrin në 247 numri i viktimave nga termeti në Itali - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Arrin në 247 numri i viktimave nga termeti në Itali

    Insajderi
    25 August 2016 - 09:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mijëra persona janë angazhuar gjatë tërë natës që të gjejnë të mbijetuarit që kanë mbetur nën rrënoja pas tërmetit të së mërkurës në pjesën qendrore të Italisë.

    Mbi 240 persona e kanë humbur jetën, dhe së paku 368 të tjerë janë lënduar, thonë zyrtarët italianë.

    Tërmeti me magnitudë 6.2 e ka goditur zonën malore në Italinë qendrore pas orës 3:30 të mërkurën.

    Zonat më të goditura janë qytetet e vogla dhe fshatrat në zonën malore ku takohen Umbria, Lazio dhe Le Marke.

    Shumë njerëz ende besohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja derisa 4300 shpëtimtarë janë duke përdorur makineri të rëndë, por jo rrallë herë edhe me duar po mundohen t’i gjejnë ata.

    Në mesin e viktimave është edhe një shqiptar 32 vjeçar nga Roskoveci i Shqipërisë, një lajm ky i konfirmuar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri.

    “Kemi një komunitet prej 50 vetësh këtu, kemi 1 jetë të humbur dhe 7 të lënduar, të cilët janë shtruar në Romë dhe qytete të tjera” citohet të ketë thënë zonja Bitri për mediat shqiptare, transmeton Zëri i Amerikës.

    Rrjeti britanik BBC ka cituar ministrin e shëndetësisë së Italisë i cili ka thënë se shumë nga viktimat kanë qenë fëmijë.

    Shpëtimtarët thonë se kanë nxjerrë pesë trupa të pajetë nga rrënojat e Hotelit Roma në qytetin historik Amatriçe. Zyrtarët thonë se rreth 35 njerëz kanë qenë në hotel, shumica prej të cilëve kanë arritur të dalin jashtë.

    Dhjetë prej tyre ende mbesin të zhdukur, thotë një zjarrfikës që është i përfshirë në operacionet e kërkim – shpëtimit.

    Mbrëmjen e të së mërkurës shpëtimtarët kanë shpërthyer në duartrokitje në fshatin Peskara del Tronto kur një vajzë e re është arritur të nxirret e gjallë prej rrënojave pasi kishte mbetur e ngujuar për 17 orë, njofton kryetari i qytetit.

    Të mbijetuarit e kanë kaluar natën në tenda jashtë objekteve të mbyllura.

    Në mesin e viktimave siç raporton BBC është edhe një vajzë 18 muajshe, Marisol Piermarini, nëna e të cilës, Martina Turko e ka mbijetuar tërmetin e tmerrshëm të vitit 2009 në L’Akuila.

    Ajo është larguar nga atje pas përvojës së keqe me dridhjet e tokës.

    Zonja Turko po trajtohet në spital pasi është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një prej objekteve në Arkuata del Tronto, raporton agjencia italiane e lajmeve, Ansa. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark