Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemit anti-tank OMTAS, i prodhuar nga Turqia.
Maqedonci këtë e bëri të ditur me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku prezantoi veçoritë e OMTAS-it, të cilat përdoren për neutralizim të mjeteve të blinduara moderne.
“OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake”, thuhet në njoftimin e Maqedoncit.
“Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, përmbyll shkrimin ai. /Insajderi.org/