Arsenali po shtyn përpara për të finalizuar transferimin e Julian Alvarezit para nisjes së fazës përgatitore verore, ndërsa konkurrenca për sulmuesin argjentinas është zvogëluar ndjeshëm, raporton “The Independent”.
Sipas raportit, Alvarez është i hapur për një kalim në “Emirates”, edhe pse dëshira e tij fillestare ishte të vazhdonte karrierën në Spanjë, te Barcelona ose Real Madridi.
Megjithatë, Atletico Madridi nuk ka asnjë dëshirë ta shesë sulmuesin te rivalët e drejtpërdrejtë në La Liga dhe ka shprehur publikisht pakënaqësinë për interesimin e dy klubeve.
Edhe PSG-ja kishte ndjekur situatën e 26-vjeçarit, por interesi i kampionëve të Francës konsiderohet më shumë eksplorues, pasi ata po shqyrtojnë disa alternativa për repartin ofensiv.

Kjo ka bërë që Arsenali të intensifikojë bisedimet për transferimin e Alvarezit, i cili prej kohësh është objektivi kryesor ofensiv i trajnerit Mikel Arteta. Për shkak të vështirësisë së marrëveshjes, londinezët kishin analizuar edhe opsione të tjera gjatë merkatos.
Pengesa kryesore mbetet çmimi i kartonit. Arsenali nuk është i gatshëm të paguajë më shumë se 90 milionë funte, ndërsa Atletico Madridi kërkon mbi 100 milionë funte për të lënë të lirë sulmuesin argjentinas.