Dhuna fizike dhe psikike në institucionet edukativo- arsimore, ka filluar të bëhet problem shqetësues për shoqërinë e Kosovës. Rastet më të rënda për prindër janë ato kur mësimdhënësit përdorin dhunë fizike ndaj nxënësve, raste këto që nuk janë shumë të rralla.
Për ndëshkimet fizike nga ana e mësimdhënësve, tregojnë edhe vetë nxënësit.
Një nxënëse e klasës së IX, në një shkollë fillore në Prishtinë,e cila nuk dëshiron të identifikohetnga frika e “hakmarrjes” nga mësimdhënësit, thotë:
“Ka raste që përdoret dhuna fizike, zakonisht kur prishet qetësia në klasë ose ndodh ndonjë problem tjetër”.
Një nga rastet e fundit që është parë në rrjetet sociale, është kur një mësimdhënës në shkollën fillore “Rudolf Walther” në komunën e Rahovecit, rrah brutalisht një nxënës së klasës së tetë.
Shqetësimet e tyre për këtë dukuri i paraqet edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Drejtori i këtij Këshilli, Bajram Beqiri, për Radion Evropa e Lirë, tregon se kanë kërkuar nga të gjitha institucionet kompetente të arsimit që dhuna fizike dhe psikike nëpër shkolla të ndalohet.
Ai thotë se rastet e përdorimit të dhunës janë të shpeshta në institucionet e arsimit parauniversitar, por këto raste heshten, pasi vetë nxënësit nuk kanë guxim t’u tregojnë prindërve.
“Fatkeqësisht, ka shumë raste, por shumë rrallë ankohen prindërit, sepse vetë nxënësit rastet i mbajnë të izoluara, nuk kanë guxim t’u tregojnë prindërve. Pra, rastet kalojnë në heshtje”.
“Unë kërkoj që rastet të adresohen, të raportohen dhe secili rast të bëhet publik në mënyrë që dhuna në shkolla, të ndalohet”, thotë Beqiri.
Arsyet e mosraportimit apo heshtjes së dhunës fizike nga nxënësit, i tregon nxënësja e klasës së IX:
“Nuk i bëjmë publike apo nuk ankohemi, sepse ato as që merren parasysh”.
Ndryshe, vetëm gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente të ndryshme që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë.
Por, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ekziston infrastruktura ligjore që ndalon përdorimin e dhunës fizike nëpër shkolla.
Alush Istogu, drejtor i Departamentit Parauniversitar në këtë ministri, thotë se mësimdhënësit, të cilët nuk e respektojnë ligjin, mbajnë përgjegjësi.
“Me Ligjin për arsimin parauniversitar dhe rregulloret e brendshme që kanë shkollat, përdorimi i dhunës fizike i mësimdhënësve ndaj nxënësve, është i ndaluar. Prandaj, çdonjëri që e thyen këtë kod etik, mban përgjegjësi”.
“Mban përgjegjësi, sepse janë organet e shkollës, të cilat duhet të hapin procedura për rastet e tilla. Ne, si ministri, e bëjmë politikën, në këtë aspekt e krijojmë infrastrukturën ligjore, kurse zbatues të këtyre politikave janë drejtoritë e shkollave dhe organet qeverisëse të shkollave”, deklaron Istogu për Radion Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, për parandalimin e kësaj dukurie, në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka miratuar një rregullore për Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar.
Ky protokoll, përcakton detyrimet, qartëson rolet dhe procedurat e institucioneve për parandalimin, identifikimin, mbledhjen e të dhënave, referimin, trajtimin, raportimin e dhunës ndaj fëmijëve në institucionet e arsimit para-universitar.
Shkeljet e dispozitave të kësaj rregulloreje, në rastet kur përbëjnë vepër penale, dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./rel