Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është tallur me subvencionet e Qëverisë Kurti, duke e quajtur këtë lloj politike buxhetore si “varfëri në dije”.
Hoti, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka ironizuar edhe me mungesën e këpucëve dhe uniformave të policëve, duke thënë se kompensimi I tyre do të bëhet përmes subvencionimit, shkruan Gazeta Insajderi.
“Subvencionim i pajisjeve shtëpiake! Subvencionim i energjisë elektrike! Subvencionim i librave për nxënës! Mos u çuditni kur të subvencionohen policët për uniformë dhe këpucë, apo pacientët për barnat nga lista esenciale, pasi po dështojnë tenderët në vazhdimësi për arsyet që vetëm ata i dine”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, qeverisë në fjalë nuk mund t’i referohesh as si praktikantë, sepse sipas tij, “praktika zgjat gjashtë muaj deri në një vit”.
“Ide nuk kanë si tërhiqen investimet, si prioritizohen investimet publike, apo si sigurohet vlera maksimale për paranë e shpenzuar nga buxheti. Krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘eKosova’, duke i kushtuar shtetit shumë më shtrenjtë”, vijon më tej postimi i tij.