Insajderi
Lajme

Asamblisti i PDK-së në Ferizaj kundërshton publikisht rritjen e çmimit të ujit

Insajderi
21 November 2025 - 13:54
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Asamblisti i PDK-së në Ferizaj kundërshton publikisht rritjen e çmimit të ujit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Asamblisti i PDK-së në Ferizaj, Maliq Muharremi, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për rritjen e tarifave të ujit në komunë, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të padrejtë për qytetarët. Në një reagim publik, ai ka paralajmëruar se rritja e çmimit të ujit do të rëndonte edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjeve dhe bizneseve lokale, të cilat tashmë po përballen me kosto të rritura.

Sipas Muharremit, qytetarët e Ferizajt po goditen nga rritjet e njëpasnjëshme të çmimeve, duke filluar nga faturat e energjisë e deri te produktet bazë, ndërkohë që pagat mbeten të pandryshuara. Në këtë situatë, siç thotë ai, kërkesa për shtrenjtim të ujit nuk ka asnjë arsyetim të qëndrueshëm.

“Asnjë familje në Ferizaj nuk mund të përballojë edhe një barrë të re financiare,” ka shkruar ai, duke theksuar se uji është shërbim esencial dhe nuk duhet të shndërrohet në luks.

Asamblisti ka paraqitur disa kërkesa konkrete ndaj autoriteteve: të tërhiqet menjëherë çdo propozim për rritjen e tarifave të ujit; të kryhet një auditim i plotë i menaxhimit të kompanisë së ujësjellësit; të sqarohet para publikut çdo arsye financiare që pretendohet se e justifikon rritjen; si dhe të garantohet transparencë e plotë në vendimmarrje.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se kundërshtimin e tij e ka dërguar edhe zyrtarisht përmes postës elektronike në Autoritetin Rregullator për Shërbime të Ujit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark