Policia e Lushnjës ka asgjësuar 2074 bimë kanabis sativa, në kuadër të operacionit të koduar “Burimi i Çaushit”. Në fshatin Çiflik u gjetën edhe 198 fidanë në kubik. Shpallen në kërkim dy kultivuesit: N.N, 47 vjeç, banues në lagjen “Xhevdet Nepravishta” të Lushnjes dhe Y.P., 54 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori” të Beratit
Nga veprimet e kryera rezultoi se shtetasit N.N dhe Y.P, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë kultivuar bimët narkotike në tokën në pronësi të shtetasit N.N
Ndërkohë, Policia e Vlorës ka asgjësuar 10 parcela me 3.900 rrënjë kanabis në fshatrat Vërmik, Vezhdanisht dhe Katund i Ri. Bimët narkotike që arrinin lartësinë deri në 25 centimetra, u asgjësuan me anë të djegies. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve, shkruan gazeta-shqip.
Po ashtu, Policia e Mallakastrës ka arrestuar në flagrancë 47-vjeçarin Bashkim Sulaj, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në lagjen “Llakaj” të fshatit Çorrush, në ullishten në pronësi dhe pranë banesës së shtetasit Bashkim Sulaj, u gjetën dhe asgjësuan 640 bimë narkotike kanabis të mbjella në 19 arka felizoli.