Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK) ka shprehur “shqetësim të thellë” ndaj propozimit të Zyrës së Prokurorit Special për dënimin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas reagimit, kërkesa e Kryeprokurores së Specializuar, Kimberly West, për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ngre dilema serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor.
“Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të garantojë të drejtat e njeriut, ashtu siç përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” thuhet në reagimin e AShAK-ut.
Akademia paralajmëron se “çdo shmangie nga këto standarde paraqet influencë politike që dëmton legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”.
Në reagim theksohet edhe rëndësia historike dhe morale e luftës çlirimtare të UÇK-së, për të cilën AShAK-u vlerëson se “është zhvilluar për mbrojtjen e popullatës civile dhe për çlirimin e Kosovës”.
“Kontributi i udhëheqësve të UÇK-së ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike,” thekson Akademia.
Kryesia e AShAK-ut shprehet gjithashtu kundër çdo përpjekjeje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë, duke theksuar se “lufta e UÇK-së dhe sakrificat e popullit shqiptar për lirinë e Kosovës janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe nuk mund të mohohen apo të keqinterpretohen”.
“Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme paraqet kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës,” thuhet më tej në reagim.
AShAK-u ka propozuar që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, me qëllim të sigurimit të transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
“Kjo qasje është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit,” thuhet në fund të reagimit, duke shtuar se Akademia mbetet e gatshme “të ofrojë ekspertizën e saj shkencore për analiza dhe mekanizma monitorimi që garantojnë drejtësi, paanshmëri dhe respekt për vlerat historike të vendit”.