×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ashpërsojnë gjuhën sindikata e RTK- Këta janë njerëzit që kurdisen konkursin për drejtor të RTK-së

    Insajderi
    21 March 2022 - 13:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) ka reaguar ashpër për mënyrën e monitorimit për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

    SPRTK përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar duke thënë se kanë identifikuar disa shkelje.  

    Kanë përmendur monitoruesen, Flutura Kusari e cili sipas tyre ka reaguar përmes gjuhës së trupit dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në proces. Kritika kanë edhe për kryetarin e Bordit të RTK-së Besnik Boletini, për të cilin thonë se ka qenë direkt i ndikuar nga monitoruesja Kusari.

    Në reagimin e tyre të gjatë përmendin edhe drejtoreshën e FOL, Mexhide Demolli-Nimani.  

    “Përse disa Anëtarë te Bordit së bashku me Flutura Kusari nuk kanë reaguar në komentin e Drejtoreshës së Organizatës FOL e cila gjatë kohës së një pauze (në objektin e Radio Kosovës) ishte shprehur kështu: “Flutura e zgjodhi Bordin, tash i ka mbete edhe Drejtorin me e zgjedhe”, thuhet në reagim.

    Bazuar në reagimin e SPRTK thuhet se para se të publikohej vlerësimi përfundimtar nga Borti i RTK-së, kryetar i saj, Besnik Boletini ishte shprehur se “Tash vjen Flutura dhe na tregon se çka duhet me vepru”.

    “Kryetari i Bordit në kërkesën time për sqarim (jo koment e as mendim), më drejtohet me arrogancë duke më thënë se: “Anëtarët e Sindikatës nuk kanë të drejtë të flasin”! Por, i njejti, ia lejon monitorueses Flutura Kusari të ndikoj dhe këshilloj Bordin”, thuhet tutje.

    Reagimi i plotë:

    Monitorimi i procesit të konkursit për Drejtor Gjeneral të RTK-së

    Me datë 07.02.2022 është shpallur konkursi me numër 89922 për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, në të cilin kanë aplikuar gjithsej 18 kandidatë.

    Në takimin e datës 25.02.2022 të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës për hapjen e zarfeve të aplikuesëve për Drejtor të Përgjithshëm, kanë qenë të pranishëm nëntë Anëtar të Bordit të RTK-së, përfaqësuesi i Zyrës Ligjore të RTK-së dhe në cilësinë e monitoruesve përfaqësuesit e sindikatave të RTK-së, Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësues të BIRN, Lëvizjes FOL, Znj. Flutura Kusari dhe Znj.Valdete Osmani-gazetare.

    Në cilësinë e monitorueses, përkatësisht përfaqësueses së Sindikatës së Pavarur të Radio

    Televizionit të Kosovës (tutje SPRTK) gjatë këtij procesi kam identifikuar këto çështje:

    · Mosprezenca fizike e aplikuesit gjatë dorëzimit të aplikacionit siç është kërkuar me konkursin e shpallur;

    · Vendosja për zgjatje të afatit për tri ditë shtesë për plotësim të dokumenteve për aplikuesit pavarësisht se me konkurs është përcaktuar që aplikacionet jo të plota nuk do të merren parasysh;

    · Kerkese per sqarim nga Bordi i RTK-se per poziten e Redaktorit, a është menaxheriale dhe në cilēn rregullore apo nen të Ligjit jane bazuar;

    · Gjuha e trupit e monitorueses dhe ndërhyrja direkte në proces Znj. Flutura Kusari;

    · Qasja e Kryetarit të Bordit ndaj meje si përfaqësuese e Sindikatës SPRTK.

    Në kuptim të përcaktimeve ligjore që rregullojnë punën dhe fushëveprimin e RTK-së, përkatësisht procesin e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Ligji Nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës në nenin 32 paragrafin 1 parasheh se:

    “ Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së e emëron Bordi i RTK-së në bazë të ligjit e sipas procedurave të caktuara, të parapara me konkurs publik”.

    Njëjtë e parasheh edhe neni 19 paragrafi 1 në Satutin e RTK-së:

    “Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së e emëron Bordi i RTK-së në bazë të Ligjit e sipas procedurave të parapara me konkurs publik”.

    Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ Nr. 07/2017 për Rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik në nenin 5 paragrafi 1 nën paragrafët 8 dhe 9 përcaktohet se;

    Konkursi publik i brendshëm përmban:

    1.8 “mënyrën se si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit; dhe

    1.9 “aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, ndërsa aplikacionet e mangëta refuzohen”.

    Nga të gjitha përcaktimet më lart, është e qartë që emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të bëhet duke u bazuar në Ligj dhe sipas procedurave që konkursi publik që parasheh, përfshirë këtu edhe mënyrën si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit, çfarë ndodhë me aplikacionet e dorëzuara pas afatit si dhe me aplikacionet e mangëta.

    Në kuptim të kësaj, mos dorëzimi i aplikacionit personalisht nga aplikuesi/ja dhe dhënia e afatit shtesë për plotësim të dokumentacioneve për kandidatët tjerë, bie ndesh me përcaktimet e lartpërmendura. Atëherë, pse duhet vlejtur rregulli i refuzimit të aplikacionit që ka arritur me vonesë?!

    Pra, standardi i respektimit të këtyre procedurave është bërë në mënyrë selektive, në kuptim të respektimit të kërkesës për afatin kohor të mbylljes së konkursit, duke anashkaluar dy kërkesat e tjera të cilat poashtu janë të përcaktuara me konkurs:

    1. Mënyra e dorëzimit të aplikacionit dhe

    2. Refuzimi i aplikacioneve të mangëta.

    Aspekti i respektimit të kërkesave procedurale të parapara me konkursin publik, nuk është ndarë që njëri përcaktim peshon ose vlen juridikisht më pak e tjetri më shumë. Këto kushte duhet të plotësohet kumulativisht, që përzgjedhja përkatësisht emërimi të konsiderohet se është bërë sipas kritereve, kërkesave dhe procedurave përkitazi me konkursin e shpallur.

    Në dokumentin: Metodologjia e Përcaktimit të Ndërlikueshmërisë së Vendeve të Punës, pika 2.0, udhëzimet për plotësimin e formularit tek “Percaktimi i vendeve te punës”, “Të dhēnat për udhëheqje” janë të sqaruara kriteret e shpërndarjes së vendeve udhëheqëse të punës.

    Gjuthashtu, në asnjë pikë të Rregullores për Sistematizimin e Vendeve të Punës në RTK, nuk ceket se, pozita e redaktorit është menaxheriale.

    Përgjegjësi kontraktuale e redaktorit është vlerësimi i përmbajtjes programore. Redaktorët sikur edhe gazetarët për punën e tyre vlerësohen nga i njejti epror, Redaktori Përgjegjës i sektorit të cilit i përkasin.

    Duke kuptuar ndjeshmërinë e një procesi të tillë si dhe nevojën për mbarëvajtje të punës, është i pa pranueshëm reagimi përmes gjuhës së trupit dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në proces i Znj.Flutura Kusari.

    E njëjta ka mohuar dhe pohuar me kokë gjatë diskutimeve të anëtarëve të Bordit, pavarësisht që prezenca e saj ishte vetëm në rolin e monitorueses. Gjithashtu znj. Kusari konsultohej me përfaqësuesin e Zyrës Ligjore, me disa anëtarë të Bordit, duke tentuar të sqaronte paragrafë të Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Konkursit në Sektorin Publik.

    Marrë parasysh çështjet e identifikuara gjatë takimit të datës 25.02.2022, për shkak të transparencës së këtij procesi të rëndësishëm, janë të nevojshme për tu potencuar këto pika:

    – Nëse konkursi ka përcaktuar që aplikacionet e mangëta refuzohen, mbi çfarë baze ligjore i jepet afat tre ditë për plotësim të dokumenteve aplikuesve me aplikacion të mangët edhe pas mbylljes së afatit për aplikim?

    – Përse Bordi ka lejuar që monitoruesja Znj. Flutura Kusari të reagojë me gjuhen e trupit përkatësisht të ndërhyjë apo ndikojë përmes shenjave në një proces në të cilin ishte vetëm në cilësinë neutrale të monitorimit?

    – Përse disa Anëtarë te Bordit së bashku me Flutura Kusari nuk kanë reaguar në komentin e Drejtoreshës së Organizatës FOL e cila gjatë kohës së një pauze (në objektin e Radio Kosovës) ishte shprehur kështu: “Flutura e zgjodhi Bordin, tash i ka mbete edhe Drejtorin me e zgjedhe”!

    Gjeste të tilla, jo vetëm se nuk do të duhej të ndodhin në një proces kaq të ndjeshëm, por të dënoheshin nga vet Anëtarë e Bordit.

    Kryetari i Bordit në kërkesën time pë sqarim (jo koment e as mendim), më drejtohet me arrogancë duke më thënë se: “Anëtarët e Sindikatës nuk kanë të drejtë të flasin”! Por, i njejti, ia lejon monitorueses Flutura Kusari të ndikoj dhe këshilloj Bordin.

    Parregullsitë e lartpërmendura janë lehtë të identifikueshme. Ekzistojnë kamerat e sigurisë brenda (pranë zyres së Bordit) dhe jashtë objektit të Radio Kosovës.

    Procesi i mbajtjes së testit me shkrim për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës më datën 07.03.2022

    Ky proces është monitoruar nga përfaqësuesja e Sindikatës së Pavarur të RTK-së Znj. Adriana Morina.

    Procesi i mbarëvajtjes me shkrim ka shkuar në rregull deri në momentin e vlerësimit. Kur Anëtarët e Bordit kanë filluar vlerësimin e kandidatëve kam vërejtur se, tre Anëtarët e Bordit; Z. Safet Kabashaj, Z. Ivan Radulovic dhe Z. Bekim Sele ishin ulur së bashku (larg anëtarëve tjerë të Bordit) dhe po i vlerësonin kandidatët. Në pyetjen që ia drejtova përkthyesit: “Pse nuk po përktheni për Z. Ivan Radulovic siç e bëni zakonisht? Ku i njejti mu përgjigj se: “Z. Safet Kabashaj është duke përkthyer për të”.

    Ndërsa përkthyes qëndronte në sallë gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur vlerësimi.

    Pas shpalljes së rezultateve dhe publikimit të pikëve që u janë dhënë kandidatëve është parë se, të tre këta Anëtarë të lartpërmendur u kishin dhënë pikë identike për secilën përgjigje Z. Shkumbin Ahmetxhekaj, në total 93 pikë secili. Unë atë ditë nuk kam pasur mundësi të reagoj atë ditë, pasi që nuk na është ofruar çasja në vlerësimet e Anëtarëve të Bordit për secilën përgjigje të kandidatëve.

    Për këtë fazë të monitorimit, vërejtjet i kanë dhënë edhe monitoruesit e BIRN-it:

    “Anëtarët e komisionit vlerësues nuk i kanë bërë publike pikët e dhëna për secilin kandidat, por vetëm janë bërë publike pikët totale të kandidatëve”.

    Këto vërejtje e parregullsi s’do mend se duhet të adresohen tek organet kompetente, të cilët do ta japin verdiktin final mbi dëshmitë e ofruara. Ky është edhe misioni i një Sindikate të Pavarur, të mbroj me çdo kusht të drejtën e punëtorit dhe ligjshmërinë në RTK, si dhe ruaj integritetin e secilit qē i shkilet e drejta.

    Mbledhja e Bordit të RTK-së e datës 18.03.2022

    Në mbledhjen e Bordit të datës 18.03.2022 është bërë intervistimi i pesë kandidatëve për Drejtor Gjenera të RTK-së.

    Për intervistim ishin këta kandidatë:

    1. Arben Berisha

    2. Adriana Kutllovci

    3. Bekim Hasani

    4. Gjergj Filipaj

    5. Shkumbin Ahmetxhekaj

    Pas intervistimit të secilit kandidat, Anëtarët e Bordit e bënin vlerësimin ku për çdo pikë të dhënë ka pasuar edhe arsyetim.

    Pikët e kandidatëve për pozitën e Drejtorit Gjeneral të Radio Televizionit të Kosovës janë:

    1. Shkumbin Ahmetxhekaj – 158.7

    2. Bekim Hasani – 155.6

    3. Gjergj Filipaj – 133.4

    4. Arben Berisha – 131

    5. Adriana Kutllovci – 90.1

    Tre kandidatët të cilët e kishin kaluar testin me shkrim, Z. Fadil Hoxha, Z. Hysen Hundozi dhe Z. Fisnik Durguti janë tërhequr nga gara, pas publikimit të pikëve identike për secilën pyetje, që u kishin dhënë tre Anëtarët e Bordit kandidatit Z. Shkumbin Ahmetxhekaj.

    Këta kandidatë ishin deklaruar se: nuk mund të vazhdojnë tutje garën karshi këtij skandali për të cilin do të vazhdojnë betejën e tyre në organet kompetente të drejtësisë.

    Para se të publikohej vlerësimi përfundimtar nga Bordi i RTK-së, Kryetari Besnik Boletini në prani të tjerëve kishte “menduar me zë” duke thënë: “Tash vjen Flutura dhe na tregon se çka duhet me vepru”.

    Procesi i konkursit për pozitën e Drejtorit Gjeneral të RTK-së është monitoruar gjatë gjith kohës nga: Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës dhe Përfaqësuesit e BIRN-it për dallim prej monitoruesve të tjerë të cilët e kanë monitoruar pjesërisht.

    Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht komisionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së këtyre parregullsive, duhet të kërkojnë përgjgegjësi nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës me synim që të respektohet legjislacioni, mbarëvajtja e procesit dhe e procedurës.

    Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës është e gatshme të ofroj dëshmi dhe të kontriboj në këtë drejtim.

    Me respekt,

    Albana Murseli

    Adriana Morina

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark