Asnjë kërkesë e Sindikatës së Policisë së Kosovës nuk është marr parasysh nga Qeveria e Kosovës. Madje nuk është ndarë as buxhet shtesë për t’u paguar shujtat policëve që i angazhuan me 12 orë pune shtesë. Megjithatë, drejtori i sindikatës thotë se policët kanë motiv të lartë për të shërbyer kur të është nevoja, shkruan Gazeta Insajderi.
Drejtori i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka vizituar Njësitë Speciale për tensioneve të krijuara në veri të Kosovës. Pas vizitës së tij, Zeqiri thotë se zyrtarët policorë kishin motiv të lartë për zbatim të ligjit në Veri.
Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Zeqiri kërkon që policët të stimulohen me mjete financiare për punën që janë duke e bërë.
“Kërkesat e tyre dhe që janë edhe kërkesa të sindikatës, janë që policia e Kosovës të stimulohet me mjete financiare për punën që janë duke e bërë”
Ai thotë se policët janë pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme. Një problem që ishte raportuar në vazhdimësi ishte për mungesë të jelekëve antiplumb dhe jelek me afat të skaduar, por, Zeqiri tregon se janë pajisur me jelek antiplumb me afat.
“Policia gjithmonë janë në rrezik gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Ata janë të përgatitur për çdo situatë të mundshme me vlerësim për rrezikshmëri të lartë. Ata janë të pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për t’a ruajtur rendin dhe qetësinë publike si dhe integritetin e shtetit. Të gjithë policët që janë të angazhuar në këtë plan operativ i kanë jelekët antiplumb me afat”, është deklaruar ai.
Pas vendimit për zgjatje të orarit në 12 orë për policët, Zeqiri thotë se atyre duhet t’iu paguhen edhe shujtat. Sipas ti, qeveria duhet të ndaj mjete shtesë nga buxheti që t’i furnizojnë me shujta.
“Njësitë speciale që janë në plan operativ furnizohen me tre shujta në 24 orë. Kurse pjesa tjetër e polive që janë në 12 orë punë nuk janë duke marr shujta dhe për këtë duhet që Qeveria të ndajë mjete shtesë nga buxheti që edhe këta të furnizohen së paku me një shujtë, kurse ne sindikata kërkojmë që qështja e shujtës të rregullohet dhe të jet e përhershme për të gjithë pjestarët e policisë edhe kur punohet me orar të rregullt”, tha ai.
Tutje në këtë intervistë, Zeqiri tregon se orët shtesë të policëve që kanë mbajtur më herët dhe janë paguar. Edhe pse me vonesë.
“Orët shtesë janë paguar edhe ato gjatë pandemisë edhe tani janë duke u paguar, ka pas vonesa në pagesë por janë paguar”.
Zeqiri thotë se deri me tani asnjë kërkesë e Sindikatës nuk është realizuar edhe pse kemi pas premtime.