Familja e të ndjerit, Astrit Dehari, ka njoftuar se sot nuk do të bëhet varrimi i djalit të tyre, i cili vdiq derisa ishte duke shkuar nga burgu i Prizrenit për në spital.
“Ju informojmë se varrimi i Astrit Dehari djalit te Avni Dehari NUK bëhet sot (e diel) Për më shumë ju informojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e Familjes Dehari, shkruan Express.
Kurse në raportin e policisë është evidentuar vdekja e Astrit Deharit të cilën e cilëson si vdekje të dyshimtë.
Trupi i pajetë i tij, sipas policisë, me vendim të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
“Raportohet se viktima mashkull K/Shqiptar i cili ishte në paraburgim në burgun e Prizrenit është dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit. Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raportin e policisë.
Familja Dehari ka kërkuar që gjatë autopsisë të ketë edhe mjek të pavarur për të zbardhur të vërtetën lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.