Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, në seancën solemne për 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, tha se luftëtarët e lirisë luftuan për lirinë e atdheut, dëshmorët e u bënë themeli ynë.
Ajo u shpreh se edhe pse kalojnë vitet, nderimi për Epopenë nuk është zbehur, përkundrazi kujtimi vetëm po mbetet i freskët.
“Ndonëse vitet kalojnë, nderimi për Epopenë nuk është zbehur, përkundrazi, kujtimi po mbetet i freskët e nderimi po rikuptimësohet pambarimisht. Luftëtarët e lirisë luftuan për lirinë e atdheut, dëshmorët e u bënë themeli ynë. Ne kemi për detyrë t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë me respekt, por mbi të gjitha ta mbrojmë lirinë dhe atdheun me çdo kusht”.
Mehmeti-Selimi theksoi se atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë, teksa shtoi se këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajme me jetën tonë.
“Atdheu dhe liria janë amaneti i Adem Jasharit dhe dëshmorëve të lirisë. Këtë amanet duhet të jemi gati ta ruajmë me jetën tonë. Kështu e nderojmë jetën e Jasharëve. Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë tash e një shekull. Dredhitë e njëjta, planet e njëjta, egërsinë e fshehur po të njëjtë”, tha ajo
Tutje, Mehmeti – Selimi tha se në këto kohë aspak të lehta, Kosovës i duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit dhe Hamzës, që për atdheun s’duhet bërë asnjë kompromis.
“Për atdheun nuk zgjedhim asnjë të keqe, as të madhe as të vogël. Për atdheun nuk ka rrugë tjetër veç të qëndrojmë tash e përgjithmonë. Kosova ka qenë dhe është në të drejtën e saj. Shqiptarët në tërësi janë në të drejtën e tyre. Sot, këtu në homazhe e përkujtim do të duhej të ishin ata që luftuan, por ata janë larg. Larg nga këtu, e larg nga Prekazi. Drejtësia në çdo rast do të triumfojë”.