Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka parashtruar një kërkesë në drejtim të Zyrës Kombëtare të Auditimit që të fillojë auditimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për dy vitet që shkuan.
Atiq këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa situata në veri po vazhdon të jetë e tensionuar, shkruan Gazeta Insajderi.
“Sot kam kërkuar zyrtarisht nga Zyra Kombëtare e Auditimit që të filloj auditimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitet 2021 dhe 2022”, deklaroi ai.
Atiq dje injoroi takimin me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, bashkë me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.
Përkundër që ambasadori amerikan përgjatë së martës në një konferencë me gazetarët deklaroi se kryetarët e rinj të komunave veriore të Kosovës nuk kanë mandat që të marrin vendime madhore, deklaratat nga përfaqësues të SHBA-së po vazhdojnë të injorohen nga përfaqësuesit e VV-së në institucione. /Insajderi.org/