×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Auditori ia zbulon një mashtrim tjetër Telekomit me kompaninë PayKos

    Insajderi
    21 June 2023 - 12:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra e Auditorit ka gjetur një tjetër shkelje në kontratën e famëkeqe mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë PayKos. Sipas të gjeturave, thuhet se që nga viti 2021 Telekomi nuk ka bërë regjistrimin e faturave të pranuar sipas aneks kontratës së nënshkruar një vit pas kontratës bazë të vitit 2015.

    Që nga muaji qershor i vitit 2021 faturat janë pranuar duke u bazuar në kushtet e kontratës bazë, pra kanë lënë anash aneks kontratën.

    Sipas auditorit, nga ndryshimi i kontratës, Telekomit i janë shtuar kostot e shitjes bazë prej 9.7% në 11.45 %. Si rezultat i këtij aneksi janë rritur edhe provizionet tjera.

    “Nga muaji qershor i vitit 2021, ndërmarrja nuk i ka regjistruar faturat e pranuara ne baze të memorandumit te mirëkuptimit por regjistrimin e tyre e ka bërë duke u bazuar në kushtet e kontratës bazë. Kësisoj shuma e obligimeve të prezantuara në pasqyra nuk përputhen me obligimet e pretenduara nga kompania PayKos.

    Lidhur me këtë kontratë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Mustafa po dyshohet se Telekomit i ka shkaktuar dëme të madh financiare me shifra milionëshe, shkruan Gazeta Insajderi

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore i pandehuri Agron Mustafa, në kohën sa shërbente si Kryeshef Ekzekutiv në Telekom i ka shkaktuar dëme të mëdha që kapin vlerën mbi 6.7 milionë euro.

    Të gjeturat e Auditorit

    Sipas raportit të auditorit Ndërmarrja publike “Telekomi”  kishte lidhur kontrate për shitjen e produkteve të tyre me Operatorin Ekonomik “PayKos” me date 16.03.2015 ku OE luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit te shitjes tek palët e treta.

    Çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë të përfshirë TVSH-në dhe provizioni total i shitjes ishte 9.7% e transaksionit.

    Pas një viti kompania kishte nënshkruar një shtojcë ku secilit lloj të provizionit që do të paguhet ndaj PayKos’it është shtuar edhe 18% në emër të TVSH-së.

    Ndryshimet nga kontrata baze që kanë ndodhur pas nënshkrimit të memorandumit te mirëkuptimit për praktikat më te mira të llogaritjes se provizioneve, kompanisë i janë shtuar kostot e shitjes për provizionin për shitjet bazë prej 9.7% në 11.45%. Si rezultat i këtij aneksi janë rritur edhe provizionet tjera.

    Nga muaji qershor i vitit 2021, Telekomi nuk i ka regjistruar faturat e pranuara në bazë të memorandumit të mirëkuptimit por regjistrimin e tyre e ka bërë duke u bazuar në kushtet e kontratës bazë. Kësisoj shuma e obligimeve të prezantuara në pasqyra nuk përputhen me obligimet e pretenduara nga PayKos.

    Si rezultat i kësaj në vitin 2022  kompania PayKos kishte iniciuar një proces arbitrazhi kundër Telekomit në vlerë 1,484,000€ plus kamatën 8% nga data e inicimit te arbitrazhit.

    Në të njëjtin proces ndërmarrja ka iniciuar kundër padi ndaj PayKos për vlerën 4,406,000€

    Mustafa i shkaktoi mbi 6.7 milionë euro dëme Telekomit

    Lidhur me rastin “PAYKOS” , Prokuroria në maj të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

     Mustafa po dyshohet se Telekomit i ka shkaktuar dëme të madh financiare me shifra milionëshe, shkruan Gazeta Insajderi

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore i pandehuri Agron Mustafa, në kohën sa shërbente si Kryeshef Ekzekutiv në Telekom i ka shkaktuar dëme të mëdha që kapin vlerën mbi 6.7 milionë euro.

    Aktakuza është ngritur me 3 maj 2023.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi  1.2 dhe 1.5 të KPRK-së“, thuhet në njoftim.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro).

    “Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.

    Insajderi kishte raportuar ditë më parë lidhur me përfundimin e procesit hetimor.

    Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.

    Dëmtim i Telekomit prej afro 7 milionë eurosh, kush është pronari i “Paykos”

    Pas dy vite e gjysmë hetime – Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish- kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Agron Mustafës i cili po dyshohet për nënshkrimin e një kontrate milionëshe me kompaninë “Paykos”.

    Sipas Prokurorisë, dëmi që i ka shkaktuar Telekomit të Kosovës është i madh. Bëhet fjalë për mbi 6.7 milionë euro të cilat janë derdhur në kompaninë “Paykos”.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se pronar i kësaj kompanie është biznesmeni Armend Zeqiraj.

    Prokuroria po e heton Agron Mustafën për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Në komunikatën publike kanë bërë të ditur se Mustafa që nga marsi i vitit 2015 e në vazhdimësi ka vepruar në dëm të PTK-së duke bërë lidhje të marrëveshjeve e aneks kontratave të dëmshme duke vepruar në disfavor të ndërmarrjes që ai përfaqësonte – Telekomit.

    I njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”, thuhet në njoftim.

    Por, për çfarë kontrate bëhet fjal?

    E gjithë kjo filloi tetë vite më parë. Telekomi lidhi një kontratë milionëshe me “Paykos” për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala” e deri tek organizimi i lojërave shpërblyese në Telekomin e Kosovës.

    Kontrata milionëshe e nënshkruar nga ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa dhe kompanisë “Paykos” e pronarit Armend Zeqiraj ra në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

    Kjo kontratë pretendohet se i ka sjellur dëme të mëdha Telekomit të Kosovës.

    Sipas të dhënave, vetëm katër muaj pasi që ishte regjistruar si biznes, kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë milionëshe. Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur në mars të 2015 ajo kishte për obligim shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid. Ajo ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa

    Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. Në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.

    Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.

    Që nga viti 2020 kjo kontratë është duke u hetuar nga organet e hetuesisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark