×
Insajderi

Aktakuza për rastin Paykos: Mustafa i shkaktoi mbi 6.7 milionë euro dëme Telekomit

Insajderi
04 May 2023 - 15:49
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Lidhur me rastin “PAYKOS” , Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Mustafa po dyshohet se Telekomit i ka shkaktuar dëme të madh financiare me shifra milionëshe, shkruan Gazeta Insajderi

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore i pandehuri Agron Mustafa, në kohën sa shërbente si Kryeshef Ekzekutiv në Telekom i ka shkaktuar dëme të mëdha që kapin vlerën mbi 6.7 milionë euro.

Aktakuza është ngritur të mërkurën me 3 maj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 291 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi  1.2 dhe 1.5 të KPRK-së“, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro).

“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.

Insajderi kishte raportuar ditë më parë lidhur me përfundimin e procesit hetimor.

Ndryshe, Mustafa ngarkohej edhe në një rast tjetër, për të cilin në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 21 shtator 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të akuzuar për korrupsion.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark