×
  • Lajme
  • Insajderi

    Autoritetet polake ende pa informatë të saktë për raketën – Gërvalla, Kurti e Osmani i japin leksionie BE-së

    Insajderi
    16 November 2022 - 09:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zhvillime të papritura dhe shumë të rëndësishme pati mbrëmë në Poloni.

    Dy persona u raportuan të kenë mbetur të vrarë, si shkak i hedhjes së disa raketave në rajonin e Polonisë.

    Por në lidhje me këto raketa si fillim u tha se ishin të destinuara nga Rusia.Pavarësisht kësaj, ende asgjë nuk është konfirmuar.

    Madje edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se është e rëndësishme që të vërtetohen të gjitha faktet në lidhje me atë se çka ka ndodhur realisht.

    “Unë ofrova ngushëllimet e mia për humbjet e jetës. NATO po monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen”, tha Stoltenberg në një postim në Twitter

    Ngjashëm u tha edhe nga Shtëpia e Bardhë. Zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk kanë konfirmim për ndonjë sulm me raketa në Poloni, por që po punohet për të kuptuar se çfarë saktësisht ka ndodhur.

    Kurse ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se janë duke monitoruar situatën.

    Ajo ka thënë se janë në kontakte të ngushta me NATO-n dhe shtetet tjera.

    “Mendimet e mija janë me Poloninë, aleati jonë i afërt dhe fqinji jonë. Ne po e monitorojmë nga afër situatën, duke qëndruar në kontakt të ngushtë me miqtë tanë polak dhe partnerët e NATO-s”, ka shkruar ajo.

    Ndërsa vetë presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se raketat që vranë dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia.

    Biden tha se ka informacion paraprak që e kundërshton mundësinë që raketat që ranë mbrëmë në Poloni mund të jenë ruse.

    “Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”, ka thënë ai.

    Por mjaftoi vetëm raportimi për vrasjen e dy personave nga raketat në Poloni, që krerët e shtetit tanë të reagonin në rrjetet e tyre sociale.

    E para që reagoi në lidhje me këtë situatë ishte ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz.

    Pa pasur asnjë konfirmim nga njerëzit kyç të botës, kryediplomatja kosovare, Gërvalla tha se Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin.

    Madje sipas Gërvallës, Putin duhet të ndalet para se ai ta sjell luftën në gjithë Evropën.

    “Ne vajtojmë humbjen e jetëve të pafajshme polake që janë vrarë nga raketat ruse. Mendimet tona janë me familjet, Kosova qëndron me Poloninë kundër regjimit të Putinit. BE duhet të veprojë shumë më të vendosur për të ndaluar Putinin përpara se ai dhe përfaqësuesit e tij të sjellin luftë në të gjithë kontinentin”, ka shkruar ajo.

    Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatët tanë polakë dhe të NATO-s.

    Osmani tha se uniteti i botës demokratike kundër luftës brutale të Putinit në Ukrainë, mbetet i palëkundur.

    “Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me aleatët tanë polakë dhe të NATO-s pas sulmit të natës së sotme dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave. Uniteti i botës demokratike kundër luftës brutale të Putinit në Ukrainë mbetet i palëkundur”, ka shkruar ajo.

    Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi hetim të plotë të këtij sulmi.

    Ai ngushëlloni Republikën e Polonisë, derisa tha se bashkohet me botën demokratike në dënimin e krimeve të luftës së Rusisë.

    “Ngushëllimet e mia për Republikën e Polonisë pasi dy civilë u vranë pranë kufirit polako-ukrainas në mes të sulmit raketor të Rusisë në territorin ukrainas. Unë bashkohem me botën demokratike në dënimin e krimeve të luftës të Rusisë dhe bëj thirrje për një hetim të plotë të sulmit”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës.

    Të gjitha këto reagime të kryeshtetasve tanë erdhën ende pa u konfirmuar asgjë.

    Madje më i rezervuar në deklarim ishte vetë presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

    Ai tha se Polonia nuk ka prova përfundimtare që tregojnë se kush e gjuajti raketën që shkaktoi një shpërthim në një fshat pranë kufirit ukrainas.

    “Ne nuk kemi asnjë provë përfundimtare për momentin se kush e ka lëshuar këtë raketë… ka shumë të ngjarë të jetë një raketë e prodhuar nga Rusia, por e gjithë kjo është ende nën hetim në këtë moment,” u tha gazetarëve Andrzej Duda.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark