11:03 - 31 Dhjetor 2020

Beadin Syla

“Kryeministër koti”, kjo ishte akuza më e rënd që i bëhej Avdullah Hotit si shef i ekzekutivit që nga marrja e mandatit me 3 qershor të vitit 2020. Avdullah Hoti, një profesor universitar, i qetë për nga natyra, me fjalor jo të egër karshi oponentëve politik, e bënin një kryeministër të qenë, e të cilin nuk e urrenin, por as nuk e donte askush.

Kryeministri Hoti, para një dekade po ngjitej në udhëheqjen institucionale, kur ishte ofruar nga profesori i tij, që e kishte edhe shef në parti, Isa Mustafa. Në ekzekutivin e Prishtinës, Avdullah Hoti ishte emëruar nënkryetar i kryeqytetit, derisa kryetar ishte Isa Mustafa, shkruan Gazeta Insajderi.

Ekonomist me profesion, Hoti bëhet ministër i Ekonomisë dhe Financave në vitin 2014, kur sërish shefi i tij në kryeqytet, e në parti, Isa Mustafa u bë kryeministër i vendit.

Nuk e deshën asnjëherë, por as nuk e urryen, profesorin me një të folur të qetë e të ftohtë.

Kur në fillim të vitit 2020, Avdullah Hoti u ngjit në udhëheqjen institucionale të Kosovës, bëhet zëvendëskryeministër, u pa si një emërim i duhur, një njëri i pakorruptuar, një profesor i respektuar, e ekonomist i zoti.

Megjithatë, duket se Hotit nuk po i pëlqente të ishte zëvendës i Albin Kurtit, i cili e mori udhëheqjen e qeverisë së Kosovës në fillim të vitit 2020. Duket se nisi të punoi kundër shefit të tij në ekzekutiv. Për këtë ai u akuzua nga partnerët e koalicionit, sidomos nga shefi i tij, Albin Kurti.

Me 25 mars kur u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, ky i fundit menjëherë në mbrëmje e shkarkoi Hotin.

“Përveç Agim Veliut, kam shkarkuar vetëm Avdullah Hotin, i cili në fjalimet e tij në Kuvend atë ditë funksiononte si një lloj centrifuge e fyerjeve dhe sharjeve. Nuk vinte të ulej tek unë, por tek Agim Veliu. Nuk është korrekte të dalësh në foltore, të shtiresh si ventilator i fyerjeve dhe të kthehesh sikur s’ka ndodh asgjë”, kishte thënë Kurti, shkruan Insajderi.

Pavarësisht kësaj, Hoti nuk u bë i urryer, ndonëse i kritikuar fortë. Megjithatë, ai mori detyrën e kryeministrit, me 3 qershor 2020.

Kundërshtarët politik, sidomos dy partitë opozitare, PDK e VV e shihni si një kryeministër që nuk mundet dhe nuk di të qeverisë.

Nënshkroi edhe marrëveshjen me palën serbe në Washington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

U akuzua për lëshime të shumta në këtë marrëveshje, sidomos disa pika, si ajo për Ujmanin, pezullimin e lobimit për njohje, të pagjeturit, e çështje tjera, por nuk e urryen.

“Në këtë drejtim në pikën 11 të kësaj marrëveshje thuhet se të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje që të lokalizojnë që të identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe të gjejnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur. Pra, përmes një paragrafi personat e pagjetur barazohen me ata që janë zhvendosur nga vendi, qytetarët që janë vrarë dhe zhdukur nga Serbia, me qytetarët që janë larguar nga Kosova”, kishte thënë anëtarja e kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu.

Se Hoti ishte një kryeministër i qenë, por që se dëshiruan e as s’e urryen, tregon edhe fakti se dështoi për disa herë që ta aprovojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që siguronte mjete financiare për qytetarët dhe bizneset që kanë pësuar si pasojë e pandemisë.

Për shtatë herë në Kuvendin e Kosovës, kishte dështuar që të miratohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Ndërsa, vetëm pas përkrahjes së PDK-së, me 4 dhjetor, u miratua Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike.

Në qeverisjen e Hotit, ndodhi edhe një skandal që nuk ka ndodhur më herët. Në vendin me të sigurt, nga thesari i shtetit u vodhen 2.1 milionë euro.

Por, përpos që Hotin s’e urryen, as nuk e deshën, përpjekjet e opozitës nuk u ndalen për ta rrëzuar nga pushteti.

VV gjeti një opsion për ta rrëzuar kryeministrin Hoti. E dërgoi në Gjykatën Kushtetuese votën e deputetit Etem Arifi, i cili në kohën kur kishte votuar qeverinë Hoti, ishte i dënuar me aktvendim të plotfuqishëm për keqpërdorim të fondeve dhe marrje ryshfeti.

Kjo solli edhe tek vendimi i Kushtetueses me 21 dhjetor 2020, ku vota e Arifit u shpall jo legjitime, dhe meqë vota e tij ishte vendimtare e 61-ta, atëherë qeveria Hoti u rrëzua dhe vendi duhet të shkoi në zgjedhje brenda 40 ditëve.

Kështu, as kryeministri Hoti, sado jo i urryer që ishte, nuk arriti ta çoi deri në fund mandatin e tij si shef i Qeverisë. Kjo, ngase as nuk e deshën si kryeministër të qenë.

Hoti do të jetë kryeministër në detyrë, deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që të mbahen në fund të janarit eventualisht fillimi i muajit shkurt 2021. /Gazeta Insajderi