Avokati Ardian Bajraktari, ka reaguar lidhur me katërshen e UCK’së në Hagë, duke theksuar se drejtësia nuk matet me volum dokumentesh, por me forcën e argumentimit të së vërtetës.
Tutje ai ka shkruar se “prokuroria paraqiti një numër të konsiderueshëm provash, pjesa dërmuese e të cilave të siguruara nga shteti serb, por pa peshën e nevojshme bindëse.
Si dhe dëshmitarët e Prokurorisë ishin jo kredibilë, shpesh jo relevantë, herë me ekzagjerime e herë me ndryshime deklaratash”
Postimi i plotë:
Drejtësia nuk matet me volum dokumentesh, por me forcën e argumentimit të së vërtetës!
Pas paraqitjes dinjitoze të katërshes së UÇK-së, u konstatua edhe përfundimi i procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, një proces që ndër të tjera, dëshmoi qartë dallimin mes sasisë dhe cilësisë së provave.
Prokuroria paraqiti një numër të konsiderueshëm provash, pjesa dërmuese e të cilave të siguruara nga shteti serb, por pa peshën e nevojshme bindëse.
Dëshmitarët e Prokurorisë ishin jo kredibilë, shpesh jo relevantë, herë me ekzagjerime e herë me ndryshime deklaratash.
Është e rëndësishme të kuptohet se shumësia në letër nuk e zëvendëson mungesën e koherencës, qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë në përmbajtje.
Sasia e “provave” mund të çojë drejt një procesi të stërzgjatur, por nuk i bën pretendimet më të bazuara.
Në anën tjetër, pala mbrojtëse, ndonëse nuk e ka barrën e provës, pasi ajo i takon Prokurorisë, ajo u fokusua në cilësi, duke paraqitur dëshmitarë të besueshëm e prova të strukturuara, të verifikueshme dhe në përputhje me standardet e drejtësisë penale, të cilat dëshmojnë pafajësinë e katërshes së UÇK-së, nëse vendimi bazohet ekskluzivisht në prova dhe në ligj.
Gjatë këtij procesi, Prokuroria nuk arriti t’i bëjë bindëse tezat e aktakuzës, pretendimet e saj nuk e kaluan testin e të provuarit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Edhe më shqetësues është fakti se Prokuroria dështoi t’i marrë parasysh provat shfajësuese. Ky dështim, i qëllimshëm, e zhvendos procesin nga një hetim objektiv dhe i drejtë, në një qasje që ngjan më shumë me përndjekje sesa me kërkim të së vërtetës.
Drejtësia nuk matet me volumin e dokumenteve, por me forcën e argumentimit të së vërtetës. E vërteta kërkon paanshmëri, baraspeshë dhe guxim për të pranuar atë që provohet, jo atë që thjesht pretendohet.