Insajderi
Lajme

Avokati Bajraktari shpjegon procedurat pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Specialen

Insajderi
22 October 2026 - 19:42
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati Bajraktari shpjegon procedurat pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Specialen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Avokati Ardian Bajraktari ka bërë thirrje që katër javët e ardhshme të shfrytëzohen për shqyrtimin e kujdesshëm të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kthimit të tij në Kuvend nga presidentja e Kosovës.

Përmes një postimi, Bajraktari ka rikujtuar procedurën që duhet të ndiqet në këtë rast, duke theksuar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin që do të paraqitet seancës plenare.

Ai e ka konsideruar këtë afat si një mundësi për reflektim dhe analizë profesionale të përmbajtjes së ligjit.

Kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend për rishqyrtim ka nxitur reagime të shumta, si nga përfaqësues politikë, ashtu edhe nga juristë e përfaqësues të tjerë të jetës publike.

Postimi i tij i plotë:

Bëhet fjalë për katër javë – një mundësi e mirë për reflektim!

Meqë Presidentja e Republikës e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vepruar në përputhje me autorizimet kushtetuese, procedura e mëtejshme zhvillohet sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit ia dërgon menjëherë ligjin për shqyrtim komisionit përgjegjës-raportues, si dhe deputetëve të Kuvendit.

Komisioni përgjegjës-raportues, në këtë rast Komisioni për Legjislacion, e përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të ligjit.

Rrjedhimisht, hapi i radhës është shqyrtimi i ligjit nga komisioni përkatës dhe përgatitja e raportit për seancën plenare, në të cilën Kuvendi do të vendosë lidhur me ligjin e kthyer për rishqyrtim.

Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për një shqyrtim serioz, profesional dhe kushtetues të ligjit, me qëllim të adresimit të vërejtjeve dhe eliminimit të elementeve problematike, para se ai të rikthehet në seancë plenare.

Ligjbërja, aq më tepër kur bëhet fjalë për procese të tilla me rëndësi të veçantë shtetërore, kërkon qasje gjithëpërfshirëse, profesionale dhe të mirëkoordinuar.

Po ashtu duhet filluar pa vonesë konsultimet me aleatët, veçmas BE-në, me qellim të përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark