Mahmut Halimi, avokati i afaristit Ridvan Muharremit i cili është arrestuar nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore, ka thënë se klienti i tij është takuar me ministren Rozeta Hajdari në zyrën e saj në Ministrinë e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Halimi tha se Ridvan Muharremit i është kërkuar ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore nga vetë ministrja Rozeta Hajdari.
“Është ftuar nga Ministria. I ka pyet me kënd je duke folur? Ka thënë kur të vish në Ministri lajmërohesh në recepsion pastaj takohemi, drejt në zyrën e Rozeta Hajdarit. Aty kanë qenë zyrtarë të lartë të ministrisë, ka qenë edhe ministrja aty. Edhe Ridvani e ka cek që për herë të parë Hajdarin e kam taku në zyrën e saj”, tha ai në RTV Dukagjini.
Ai tha se nga Muharremi, ministrja Hajdari ka kërkuar të gjejë treg për të siguruar vaj dhe sheqer.
“Kanë kërku nga ai të shikojë të gjejë treg të vajit dhe sheqerit, ka thënë se do të interesohet dhe do t’i lajmërojë shumë shpejt. Është përshirë për të kontribuuar”, ka thënë ai.
Halimi tha se klienti i tij nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me MINT-in, derisa shtoi se nënshkrimi i tij nuk gjendet në asnjë dokument.