Insajderi
Lajme

Avokati i Fadil Ismajlit: Ish-ministri nuk ka pasur bashkëpunim me personat e arrestuar

Insajderi
20 December 2025 - 23:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati i Fadil Ismajlit: Ish-ministri nuk ka pasur bashkëpunim me personat e arrestuar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitrović, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llazic, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme, raporton Insajderi.

Në lidhje me këtë është deklaruar Mehmet Berisha, avokati i Fadil Ismajlit.

Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër penale të kryer nga ish ministri, çështja është lidhur me një raport civil pronësor.

“Prona është shpronësuar në vitin 2014 për ndërtimin e autostradës dhe kompensimi për këtë shpronësim është realizuar në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me ligjin, njësoj si në rastet e qindra qytetarëve të tjerë të prekur nga i njëjti proces shpronësimi. Në vitet 2022–2023, mbi bazën e autorizimit të dhënë nga z. Ismajli, është iniciuar procedurë shtesë për kompensimin e pjesës së mbetur të parcelës prej 9.63 ari, e cila si pasojë e shpronësimit të pjesshëm ka mbetur e dëmtuar dhe e pashfrytëzueshme në aspektin funksional dhe ekonomik”, ka deklaruar ia.

Sipas avokatit, proceduar e kompensimit të pjesës së mbetur është zhvilluar përmes mekanizmave të rregullt ligjorë dhe në përputhje me praktikën gjyqësore të konsoliduar në Republikën e Kosovës për raste të ngjashme, në të cilat kanë përfituar edhe qytetarë të tjerë në rrethana identike.

“Vendimi përkatës është marrë nga gjykata kompetente dhe është ekzekutuar përmes Thesarit të Republikës së Kosovës, pa asnjë ndërhyrje apo ndikim nga ana e përfituesit. Çdo diskutim publik që devijon nga këto fakte dhe që tenton ta paraqesë këtë rast si diçka tjetër përveç një procedure civile të rregullt përbën shtrembërim të realitetit juridik të çështjes dhe krijon perceptime të pasakta”, ka shtuar Berisha.

Tutje avokati ka thënë se “Ismajli nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje, njohuri apo përfshirje me persona të tjerë të përmendur në këtë rast dhe nuk ka pasur asnjë kontakt apo bashkëpunim me ta në asnjë fazë të procedures”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark