Insajderi
Lajme

Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

Insajderi
29 January 2026 - 13:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka komentuar deklaratat e dhëna sot nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se ato janë të vështira për t’u dëgjuar për familjen e viktimës dhe, sipas tij, nuk përkojnë me faktet e paraqitura deri më tani në proces.

Syla ka deklaruar se Murseli në asnjë moment nuk e ka pranuar apo përmendur tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndonëse sipas avokatit, kjo është e dokumentuar dhe e dëshmuar.

“Për familjen është jashtëzakonisht e vështirë me i dëgju këto deklarata nga Naim Murseli, për shkak se ai asnjë moment nuk e ka deklaruar faktin se e ka tradhtuar Liridonën me grua të afërmit të tij. Me këto deklarime që po i bën sot, ai po mundohet me i dhënë vetes një lloj titulli, ndoshta edhe pompoz për media, por jo për të thënë të vërtetën”, ka thënë Syla në Tëvë1.

Sipas tij, jo vetëm deklaratat e Murselit, por edhe dëshmitë e personave të tjerë, përfshirë edhe babain e vetë Naim Murselit, e konfirmojnë ekzistencën e kësaj tradhtie.

“Edhe nga deklarata e babait të Naim Murselit, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, është plotësisht e qartë që ai e ka tradhtuar Liridonën. Mirëpo, këtë pjesë ai nuk e përmend fare, sikur të mos ekzistonte. Për këtë tradhti ka prova materiale, ka komunikime, ka mesazhe të shkëmbyera që janë pjesë e shkresave të lëndës”, ka shtuar avokati i familjes Ademaj.

Syla ka theksuar se këto fakte janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë paraprirë vdekjen e Liridona Ademaj dhe se familja pret që drejtësia të trajtojë rastin mbi bazën e provave dhe jo narrativave publike.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark